Shqipëria

Pampuri: Ahmetaj dhe Gjiknuri udhëtuan disa herë jashtë vendit me pronarët e inceneratorëve


Deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri në një deklaratë për mediat të mërkurën e 23 shkurtit, tha se zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri kanë udhëtuar disa herë jashtë vendit me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton të cilët janë në kërkim ndërkombëtar për korrupsion.

“Mirel Mertiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja nuk ishin të panjohur për qeveritarët dhe ardhja e tyre nuk ishte rastësi. Mjafton të shikoni historinë e udhëtimeve të Ahmetajt dhe Gjiknurit për të kuptuar se ata njiheshin, udhëtonin bashkë me letra që prej 2012, por të dhënat flasin për një njohje më të hershme mes tyre. Gjithçka për aferën e inceneratorëve ka qenë e planifikuar”, tha Pampuri.

Deputetja e PD-së theksoi se udhëtimet jashtë vendit të pronarëve të inceneratorëve me ish-ministrat e qeverisë, vërtetohen përmes sistemit TIMS.

“Nga 27 janari 2012 deri më 16 tetor 2019, Arben Ahmetaj ka udhëtuar 12 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Nga 27 janari 2012 deri më 23 korrik 2019, Damian Gjiknuri ka udhëtuar 6 herë me dy pronarët e kompanive të inceneratorëve Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto”, deklaroi ajo.

Sakaq, deputetja e selisë blu deklaron se Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, janë në kërkim ndërkombëtar për korrupsion ndërsa shton se miqtë e tyre politikanë, duke iu referuar Arben Ahmetajt dhe Damian Gjiknurit, janë të veshur njëri me kostumin e zëvendëskryeministrit dhe tjetri me atë të sekretarit të Përgjithshëm të PS-së.

“Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë sot në kërkim ndërkombëtar për korrupsion aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale, të kryera në bashkëpunim, për aferën korruptive të inceneratorëve. Ndërsa, miqtë e tyre politikanë, të veshur njëri me kostumin e zëvendëskryeministrit dhe tjetri me atë të sekretarit të përgjithshëm të PS-së, vazhdojnë vjedhjet të pashqetësuar.”-deklaron Pampuri.

Deputetja e PD-së deklaroi se i janë vjedhur 430 milionë euro shqiptarëve me dijeni të plotë të Ahmetaj, Gjiknurit, Ëngjëll Agaçit, Erion Veliajt dhe Lefter Kokës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore