Bota

Palestinezi mbetet i paralizuar pasi u qëllua nga ushtria izraelite


Një i ri palestinez ka mbetur i paralizuar pasi u qëllua në qafë nga një ushtar izraelit, gjatë disa përplasjeve në zonën e njohur si West Bank.

I riu është identifikuar si Haroun Rasmi Abu Aram. 24 vjeçari jetonte në fshatin Al-Tuwanah, në jug të Hebron-it, vendit ku ndodhi ngjarja.

Gjatë konfliktit, “i riu po përpiqej të ndalonte trupat izraelite të merrnin një gjenerator që i përkiste atij”, raporton agjensia palestineze e lajmeve WAFA.

Nga ana tjetër, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), dolën me një deklaratë ku theksonin se ishin sulmuar nga një grup palestinezësh. Gjatë kohës që janë sulmuar, forcat izraelite po kryenin operacione rutine. Në kundërpërgjie, ata kanë shtënë në ajër për ti sprapsur palestinezët.

Ndërkohë, Qendra e Informacionit Izraelit mbi të Drejtat e Njeriut në Territoret e Pushtuara, B’Tselem, bëri me dije se Abu Aram po ndihmonte një fqinj të ndërtonte një shtëpi gjatë kohës që është qëlluar.

IDF-ja njoftoi më vonë se ngjarja është në hetim.

Një video e çasteve të pas sulmit është hedhur në Twitter.

 

Zona e njohur si West Bank është e pushtuar që prej vitit 1967 nga Izraeli. Nga komuniteti ndërkombëtar, vendbanimet izraelite aty janë quajtur të jashtëligjshme. Në vitin 2002, SHBA-ja, Rusia, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara propozuan që në territorin e West Bank, të shtrihej shteti i pavarur i Palestinës.

Por pavarësisht kësaj, akordi nuk u arrit asnjëherë. Popullsia izraelite në West Bank vazhdon të shtohet.

Në ditët e sotme, 450 mijë izraelitë janë të vendosur aty. Në zonë jetojnë rreth 2.8 milionë palestinezë.

Gjatë viteve, tensione të shumta kanë gjeneruar konflikt në zonë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore