Bota

Paditet Twitter për mbylljen e profilit të Trump-it


Një qytetar nga California, Erik Estavillo, ka paditur median sociale Twitter, për mbylljen që i ka bërë profilit të presidentit në largim, Donald Trump, pas protestave në Capitol. Ai kërkon një dëmshpërblim prej 88.7 milionë dollarësh, për çdo ndjekës të profilit të Trump-it.

Estavillo, ka arsyetuar se mbyllja e platformës së presidentit, ka qenë “një dhimbje e vuajtje e stërmadhe”. “Çdo ndjekës i Trump-it, ka pësuar një goditje psikologjike dhe emocionale”, argumenton Estavillo.

Shuma e kërkuar përkon me numrin e ndjekësve që presidenti në largim ka pasur në llogarinë e tij. Kërkesë tjetër, është edhe rikthimi aktiv i profilit të Trump-it.

Përtej dëmshpërblimit të kërkuar, Estavillo ka hedhur akuza ndaj dy ligjvënësve amerikane. Konkretisht, ndaj kongresmeneve Alexandria Ocasio-Cortez dhe Ilhan Omar.

Sipas tij, dy ligjvënëset kanë “pikëpamje komuniste”. Është kërkuar mbyllja e profilit e të dy kongresmeneve.

Ocasio-Cortez dhe Omar, kanë qenë shumë aktive në media sociale për çështjen e protestave të ndodhura në Capitol. Cortez ka hedhur një lumë akuzash ndaj Trump-it, duke e quajtur “iniciator të rrënimit të demokracisë amerikane”.

Në kërkesën që california-ni i ka bërë gjykatës, ka renditur gjithashtu disa shqetësime që ka pasur që prej mbylljes së Twitter-it të Trump-it. Ndër to, përmenden edhe depresioni apo çrregullimi obsesiv-kompulsiv.

Estavillo thekson se ka pak shoqëri dhe del rrallë nga shtëpia. Për këtë arsye, Twitter-i është i domosdoshëm për të qenë pjesëmarrës në diskutime politike.

Nuk bëhet me dije ende nëse gjykata do ta marrë apo jo në konsideratë kërkesën e qytetarit./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore