Lajme

Pa drejtor e me mungesë të barnave në klinikën e Onkologjisë – “situata drejt degradimit”


Foto: Albanian Post.

Jo për herë të parë Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është duke u ballafaquar me mungesë të barnave.

Sërish pacientët të cilët marrin shërbime në këtë klinikë po detyrohen që të paguajnë kosto të larta për barna dhe trajtimin e sëmundjeve të tyre.

Ndryshe nga rastet e kaluara, klinika e Onkologjisë aktualisht ka problem edhe me menaxhimin për shkak se në krye të këtij institucioni shëndetësor mungon drejtori për gati një muaj.

Megjithatë, pyetur nga Albanian Post, nga Shërbimi Klinik Farmaceutik kanë thënë se situata është duke shkuar drejt përmirësimit.

“Sa i përket furnizimit me barna në Kliniken e Onkologjisë ju informojmë se aktualisht kemi një furnizim që në vazhdimësi është duke u përmirësuar, sepse janë lëshuar te gjitha porositë për barna dhe material medicinal për tremujorin e parë të vitit dhe liferimet nga operatorët ekonomikë janë duke u bërë në baza ditore”, thuhet në përgjigjen e këtij shërbimi për AP.

Për mosemërimin në pozitën e një drejtori nga institucionet shëndetësore, Albanian Post ka pyetur edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Derisa nga Ministria adresojnë për një përgjigje te SHSKUK, këta të fundit nuk përgjigjen fare.

“ShSKUK është organizatë e veçantë buxhetore dhe planifikimi i furnizimit të klinikave me barna dhe çështjet menaxheriale bëhen nga vetë ShSKUK, prandaj, lidhur me pyetjet e juaja, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Shëndetësisë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK).

Në ditën botërore kundër kancerit, anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu kishte thënë se spitalet e vendit kanë mungesë të barnave të kësaj sëmundje.

Ai në një bisedë për Albanian Post thotë se Onkologjia pothuajse gjatë tërë muajit shkurt është ballafaquar me të njëjtën situatë.

“Pacientët janë detyruar të blejnë barna vetë. Në javën e fundit klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim me disa prej barnave, mirëpo sërish ka mungesa të atyre që kanë kosto të lartë”.

Vazhdimisht, pohon Haxhiu, kjo klinikë përballet me mungesë të barnave dhe me probleme të tjera.

“Në vazhdimësi ka mungesa të tillë në këtë klinikë, për më keq edhe shërbimi i Radiologjisë për një kohë nuk kishte funksionuar dhe pacientët e kanë pasur të domosdoshme që të shkojnë në Shqipëri dhe Maqedoni. Për shkak të presioneve të menaxhmentit tani klinika e Onkologjisë është edhe pa udhëheqës, përveç drejtorit që dha dorëheqje pastaj dorëheqjen e dorëzoi edhe ushtruesi i detyrës”.

Sipas tij, qasja e ekzekutivit në përgjithësi me Shëndetësinë vazhdimisht ka qenë jo e duhur për të zgjidhur problemet.

Ai beson se Qeveria as nuk e trajton “me seriozitet Shëndetësinë”.

Ndër të tjera, si anëtar i Komisionit për Shëndetësi shton se nëse vazhdohet në këtë mënyrë situata rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë.

“Klinika e Onkologjisë meqë është edhe njëra nga klinikat më të rëndësishme është duke shkuar drejt degradimit”.

Më 25 janar, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Arben Bislimi kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Lajmin për Albanian Post pati konfirmuar zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Shpend Fazliu.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ju konfirmon se për shkaqe personale ka dhënë dorëheqje nga pozita e u.d. drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Dr. Arben Bislimi. Së shpejti pritet të caktohet u.d. drejtori i ri i Klinikës së Onkologjisë”, ka thënë Fazliu për AP.

Ai kishte thënë se së shpejti pritet të caktohet u.d drejtori i ri i Klinikës së Onkologjisë.

Për mungesën e barnave në këtë klinikë, Albanian Post kishte raportuar edhe gjatë muajit gusht të vitit 2022 e në muajin korrik për ndërprerjen e shërbime me radioterapi.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Nga kjo sëmundje në Kosovë regjistrohen çdo vit pothuajse 1 mijë e 500 raste të reja.

Në këtë klinikë brenda 24 orësh, shërbime marrin rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Klinika e Onkologjisë i ka rreth 60 shtretër dhe vazhdimisht ballafaqohet me mungesë të barnave.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanceri është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në mbarë botën.

“S’kemi faj ne, por ata” – Institucionet shëndetësore ia hedhin fajin njëra tjetrës, derisa në QKUK luhet roli i Zotit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore