Kosova

OVL-UÇK proteston të enjten, Klinaku: I turpshëm votimi në parim të Projektligjit për pagën minimale


Ilustrim

Për shkak të votimit në parim të ligjit për rritjen e pagës minimale në Kuvendin e Kosovës ku janë përjashtuar veteranët e luftës, ushtruesi i detyrës së OVL UÇK-së ka thirrur për protesta mbarëpopullore për të enjten në ora 09:30

Një votim të tillë të ligjit, Faton Klinaku e ka quajtur të turpshëm.

“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”, shkroi Klinaku në reagim.

“Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. Deri në kategorimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”, shkroi mes tjerash ai.

Shumica parlamentare e Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me pakicat e kryesisht me Listën Serbe, e votuan në parim projektligjin për rritjen e pagës minimale.

Javën e kaluar organizatat e veteranëve të luftës protestuan para Kuvendit të Kosovës për ta kundërshtuar fuqishëm këtë projektligj.

Opozita e ka kundërshtuar njëzëri mospërfshirjen e kategorisë së ndjeshme të veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çka kanë thanë se veteranët e luftës qeveria e Kosovës po i ul në “qytetarë të dorës së dytë”.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pagën minimale e meritojnë punëtorët por jo edhe veteranët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore