Lajme

Osmani takon kryeministrin portugez: Vetëm njohja reciproke është kusht për paqe në rajon


Vjosa Osmani dhe Antonio Costa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Lisbonë, këtë të mërkure, është takuar me Kryeministrin e Portugalisë, Antonio Costa, të cilit i ka thënë se në dialogun me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se “vetëm njohja reciproke është kusht për paqe e stabilitet në rajon.

Siç ka njoftuar zyra e presidencës, Osmani ndër të tjera e ka informuar kryeministrin Costa për zhvillimet fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, “posaçërisht në lidhje me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit”.

Foto: Zyra e presidencës

Sa i përket marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Portugalisë, e para vendit ka thënë se ato u vlerësuan si “tejet miqësore”, ndërkohë që Osmani “çmoi mbështetjen e këtij shteti për Kosovën, që nga viti 1999 me pjesëmarrjen e ushtarëve në misionin e KFOR-it, por edhe në fazat e mëvonshme të shtetformimit dhe shtetndërtimit.

“Duke kërkuar përkrahjen e mëtejme të Portugalisë për rrugën euro-atlantike të vendit tonë, Presidentja Osmani ka theksuar se është jo vetëm interes shtetëror i Kosovës, por edhe interes strategjik i BE-së, që Ballkani Perëndimor, bazuar në merita, të bëjë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, në mënyrë që të kontribuohet për synimin e përbashkët për një Evropë të tërë, të lirë e në paqe”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Në këtë kontekst, shefja e shtetit ka ritheksuar se është e domosdoshme që të bëhen hapa urgjent për anëtarësim në NATO, “duke filluar me Partneritetin për Paqe, si hap që do të kontribuonte jashtëzakonisht shumë për paqe në rajonin dhe kontinentin tonë”.

Subjekt diskutimi mes Osmanit dhe kryeministrit portugez ka qenë edhe mundësia e thellimit të bashkëpunimit në sferën e politikës së jashtme, sektorin e IT-së, shkëmbimit ekonomik e tregtar, arsim, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Gjatë vizitës së saj në shtetin e Gadishullit Iberik, Osmani është takuar edhe me Presidentin e Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa.

Edhe gjatë këtij takimi ajo ka thënë se përmbyllja e procesit të dialogut me njohje reciproke është e vetmja rrugë për paqe afatgjatë në rajon.

Osmani, presidentit të Portugalisë: Përmbyllja e dialogut me njohje reciproke, e vetmja rrugë për paqe në rajon

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore