Lajme

Osmani takon Hovenier-in, bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Siç njofton zyra e presidencës në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, pas marrëveshjes së arritur fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe momentumin e ri për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të saj”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, në njoftim thuhet se është biseduar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë, por edhe ato në të gjithë rajonin.

Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për “përkushtimin e përbashkët për bashkëpunim dhe koordinimin të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë në rëndësinë e avancimit tutje të raporteve bilaterale”.

Ndryshe, më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur.

Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore