Lajme

Osmani takon bizneset gjermane, “investitorët kryesorë në Kosovë”


Vjosa Osmani në një nga takimet e saj gjatë vizitës në Gjermani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës zyrtare që është duke e zhvilluar në Gjermani, ka pasur takime edhe me bizneset gjermane, akademikë, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile dhe media.

Osmani ka thënë se Gjermania është investitori kryesor në Kosovë.

“Vizita nuk mund të përmbyllej pa një bashkëbisedim me bizneset gjermane, nisur nga fakti se Gjermania është investitori kryesor në vendin tonë dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet vendeve tona po përjetojnë një hov të ndjeshëm”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Gjermani

Ndërsa është takuar edhe me anëtarët e Shoqatës Gjermane të bizneseve Lindore, Oda Ekonomike të shumta, përfaqësues të bizneseve e përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë e Energjisë, të flas për mundësitë për investime në fushën e IT-së, digjitalizimit, industrisë, energjisë dhe shëndetësisë.

“Po ashtu, kisha kënaqësinë që në bashkëbisedim me ambasadorin Wolfgang Ischinger, në kuadër të një diskutimi të organizuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, të flasim për sfidat e deritashme të Republikës së Kosovës, për zhvillimet aktuale dhe mundësitë që i kemi përpara”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Gjermani

Osmani ka njoftuar se ka diskutuar për “shtet ndërtimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës”, duke shtuar se ka folur edhe me “akademikë e hulumtues në Universitetin Humboldt”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në ekspozitës “Standing for liberty”

“Pas vizitës së ekspozitës ‘Standing for liberty’, e cila në fokus kishte historitë e akademikëve e shkencëtarëve të persekutuar nga mbarë bota, fola edhe për rëndësinë që ka pas arsimimi në rezistencën e Kosovës ndaj terrorit dhe represionit të regjimit gjenocidal të Serbisë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ditës së martë kishte udhëtuar për një vizitë zyrtare me ftesë të presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Ajo kishte kërkuar nga homologu i saj gjerman Frank Walter Steinmerier, që ta ndihmojë Kosovën për njohje të reja.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania”, kishte thënë  Osmani.

Ndërsa, kishte theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, kishte theksuar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore