Lajme

Osmani kërkon nga Steinmeier mbështetje për njohje të reja


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga homologu i saj gjerman Frank Walter Steinmeier, ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja dhe po ashtu për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave. Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania”, ka deklaruar Osmani.

Ndërsa, ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Presim mbështetjen e Gjermanisë në këtë proces”, ka theksuar Osmani.

Procesin e Berlinit, ajo e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Kosovës synon ta avancojë bashkëpunimin rajonal – në përputhje me planin e veprimit të krijuar në Sofje (2020) për krijimin e një tregu të përbashkët të katër lirive themelore (lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit)”.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ka ritheksuar se rezultati përfundimtar i tij duhet të jetë njohja reciproke dhe ruajtja e rregullimit aktual kushtetues dhe kufijve aktual të Kosovës.

Gjatë takimit me presidentin Steinmeier, Osmani po ashtu ka përmendur lidhjen e veçantë të Kosovës me Gjermaninë, shkaku i mbi 400 mijë kosovarëve që jetojnë në shtetin gjerman.

Kurse është shprehur se Kosova është e interesuar edhe për nënshkrimin e disa marrëveshje me Gjermaninë, si ajo për transportin e mallrave dhe automjeteve, për heqjen e taksimit të dyfishtë, si dhe bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Ajo ka bërë të ditur se së shpejti pritet finalizimi i Memorandumit dypalësh për njohjen e patentë shoferëve të lëshuar nga Kosova.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier.

Po ashtu, Osmani përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar presidentin e Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier.

“Faleminderit President Steinmeier për mikpritjen e ngrohtë. Miqësia mes dy shteteve tona është e përhershme”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën e 14 shtatorit ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Gjermani.

Sipas njoftimit të presidencës, kjo vizitë vjen pas ftesës së presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka udhëtuar për vizitë zyrtare dyditore në këtë shtet.

Gjatë vizitës në Gjermani, Presidentja Osmani, përveç takimit me homologun Steinmeier, do të takohet edhe me ministrin e jashtëm Heiko Maas”.

“Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani, gjithashtu do të realizojë takime edhe me Odën e bizneseve gjermane, Rrjetin për Politikë të Jashtme (DGAP) dhe përfaqësues të mërgatës”.

Ndërkaq në Universitetin Humboldt, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjërate me temën “Shtetndërtimi dhe procesi i transformimit, prioritetet dhe sfidat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore