Lajme

Osmani pret në takim zyrtarë të NATO-s, flasin për rritjen e bashkëpunimit


Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi të enjten drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT), Ralf Peter Hammerstein, drejtorin e ardhshëm të NALT-it, Christian Nawrat, dhe shefen e sektorit të operacioneve aktuale në NATO, Ariella Viehe, njoftoi Zyra e Presidentes.

Në një komunikatë për shtyp thuhet së në takim është diskutuar mundësia e rritjes së bashkëpunimit Kosovë-NATO, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe misionet e përbashkëta, ndërsa presidentja Osmani veçoi besueshmërinë e lartë të kosovarëve ndaj NATO-s dhe misionit të KFOR-it.

“Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të FSK-së me standardet më të larta të NATO-s, të gatshme dhe të ndërveprueshme me forcat aleate dhe partnere të NATO-s në misione të përbashkëta”.

Gjithashtu, në këtë takim u ritheksua ndër të tjera edhe synimi strategjik shtetëror i Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në organizatën më të fuqishme ushtarake që njeh bota, përfshirë diskutimet mbi situatën aktuale të sigurisë, posaçërisht në veriun e territorit kosovar të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore