Kosova

Osmani pret në takim kryeministrin e Holandës dhe atë të Luksemburgut


Vjosa Osmani, Mark Rutte dhe Xavier Bettel

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, këtë të martë kanë nisur takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Presidencë.

Pas takimit me Osmanin, kryeministrat e vendeve të Beneluksit do të takohen edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Rutte dhe Bettel të hënën vizituan edhe Beogradin.

Kryeministri i Holandës dhe ai i Luksenburgut, Xavier Bettel, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, folën për domosdoshmërinë e uljes së tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Rute fillimisht deklaroi se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa të menjëhershëm drejt de-përshkallëzimit të situatës në terren dhe t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

“Me luftën e ndezur mes Rusisë dhe Ukrainës, është më e rëndësishme se kurrë që të veprojmë së bashku. Marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë thelbësore për perspektivat e progresit të mëtejshëm drejt integrimeve evropiane”, tha ai.

E kryeministri i Luksenburgut, Xavier Bettel, shtoi se depërshkallëzimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, përveç se është interes direkt i Kosovës dhe Serbisë, ai është edhe interes i rajonit, por veçanërisht i Bashkimit Evropian.

“Ne mbështesim fuqishëm bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe veprimet konkrete. Ne po shohim se ka ende potencial shpërthyes, ka shumë tension. Dëshira ime më e madhe është të shoh ulje të tensioneve dhe përparim në ditët apo javët në vijim”, tha Bettel.

Të martën në Kosovë do të zbarkojë edhe i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore