Lajme

Osmani për vdekjen e 14 vjeçares në Shkup: Tragjedi e tmerrshme, ky krim do të dënohet rëndë


Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Pas konfirmimit të policisë dhe prokurorisë maqedonase që kanë bërë të ditur se të dielën e 3 dhjetorit kanë gjetur trupin e pajetë të Vanja Gjorçevskas, vajzës 14-vjeçare e cila ishte zhdukur një javë më parë në Shkup.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se kjo ngjarje është “një tragjedi e tmerrshme”.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka paralajmëruar se ky krim do të dënohet ashpër.

“Vdekja e parakohshme e Vanjës është një tragjedi e tmerrshme që na ka prekur të gjithëve. Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe të afërmve; mendimet tona janë me Ju, megjithëse e dimë se asgjë nuk mund ta kompensojë zbrazëtinë tuaj”.

“Ky krim do të dënohet rëndë, për çka jam i bindur se Prokuroria dhe Policia kanë vënë të gjitha kapacitetet e tyre për të zbardhur me kujdes dhe saktësi rastin deri në detaje”.

Ai tutje ka deklaruar se do të zbulohen të gjitha detajet e këtij rasti.

“Opinioni me të drejtë kërkon transparencë të plotë. Sado tragjike apo e frikshme të jetë, duhet të përballemi me të gjitha motivet dhe detajet e këtij rasti; jo vetëm për të hequr spekulimet dhe manipulimet e shumta, por edhe për t’u pjekur si shoqëri, për të edukuar fëmijët tanë, që të mos harrojmë”.

Për këtë ngjarje, që ka trondituar opinionin në Maqedoninë e Veriut, dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve janë arrestuar nga policia dhe janë dërguar në Gjykatën Penale, e cila, së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, do të dalë me informacione të detajuara sot.

Nga prokuroria e Shkupit kanë bërë të ditur se, lidhur me këtë rast, në pyetje po merret edhe babai i vajzës së vrarë, pa dhënë detaje mbi përfshirjen e mundshme të tij në këtë ngjarje.

Organet e ndjekjes kanë njoftuar për gjetjen edhe të një trupi tjetër të pajetë në Veleshtë, që besohet të jetë ekzekutuar ditën e njëjtë me 14-vjeçaren.

“Pas masave dhe aktiviteteve të gjithanshme të ndërmarra nga zyrtarët policorë nga Sektori i Punëve të Brendshme në Shkup, më 3 dhjetor trupi i pajetë i të miturës V.G. e cila ishte raportuar e zhdukur më 27.11.2023, është gjetur në rrethinën e Shkupit, ndërsa në afërsi të Veleshtës, është gjetur edhe trupi i pajetë i P.Zh. (74 vjeç) nga Velesi, i cili ishte raportuar i zhdukur më 24.11.2023″.

“Në lidhje me të dyja rastet dyshohen pesë persona, tre prej të cilëve janë ndaluar, një është jashtë shtetit dhe një tjetër po merret në pyetje“, thuhet në njoftimin e prokurorisë maqedonase.

Sipas organeve policore dhe prokurorisë, motivi për kryerjen e vrasjeve besohet të jetë “përfitimi material”.

Paraprakisht, në lidhje me veprat penale është gjetur një automjet i djegur, i tipit Citroen, dhe pas ekspertizës janë siguruar prova materiale për përfshirjen e personave të ndaluar, për të cilat pas dokumentimit të plotë të rasteve, do të bëhet kallëzimi përkatës penal në koordinim me Prokurorin Publik.

Gjendet e vrarë 14-vjeçarja e zhdukur prej ditësh në Maqedoninë e Veriut, pranë saj edhe një trup tjetër

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore