Lajme

Osmani: Pa ndryshime kushtetuese s’mund të flitet për integrim në BE


Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrim në Bashkimin Evropian, raporton REL.

“Tema e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet sa më shpejt në Kuvend. Partitë politike duhet që të arrijnë një konsensus për çështjet evropiane dhe të arrijnë një marrëveshje që kushdo qoftë në pushtet, të mos ketë dallime për këtë çështje”, deklaroi kryediplomati Osmani më 4 dhjetor.

“Është gabim të mendosh se po negociojmë me Bashkimin Evropian. Rregulloret dhe direktivat janë të fiksuara. Ju duhet t’i pranoni ato ashtu siç janë për t’u bërë anëtare e BE-së. Pavarësisht nëse është LSDM [Lidhja Socialdemokrate në pushtet], BDI [Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet] apo VMRO DPMNE [partia më e madhe opozitare maqedonase], askush nuk ka mundësi të ndryshojë diçka në negociatat me Bashkimin Evropian”, tha Osmani.

“E vetmja gjë që mund të ndryshojë është dinamika e dorëzimit dhe pranimit”, shtoi Osmani duke bërë të ditur se pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të flitet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”.

Maqedonia e Veriut, më 19 korrik, formalisht ka nisur bisedimet me Bashkimin Evropian, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në të.

Kjo parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.

VMRO-ja opozitare ka thënë se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese pasi pretendon se marrëveshja me Bullgarinë është e dëmshme për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase.

Ndryshimet kushtetuese nuk mund të miratohen pa votat e VMRO DPMNE-së, pasi shumica parlamentare nuk ka 80 vota, apo dy të tretat në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që numëron 120 ulëse të deputetëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore