Lajme

Osmani nga Portugalia: Synim i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE, NATO dhe INTERPOL


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit me ministrin e Brendshëm të Portugalisë, Eduartdo Cabrita

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se synimi primar i vendit mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE), NATO, INTERPOL dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Këtë deklaratë e para e shtetit e ka bërë gjatë vizitës zyrtare në Portugali, ku është takuar me ministrin e Brendshëm, Eduartdo Cabrita, dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Portugali

“Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi”.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.

Më tej, Osmani ka falënderuar Portugalinë që është zë i fuqishëm në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Portugali

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Portugali theksoi se 23 vite më parë, forcat e armatosura të këtij vendi u bënë pjesë e intervenimit të NATO-s, i cili pati për synim mbrojtjen dhe lirinë tonë.

“Sot e filluam ditën me pritjen nga forcat e armatosura të Portugalisë dhe Ministri i Mbrojtjes z.Joao Gomes Cravinho. 23 vjet më parë, pikërisht nga ky vend, këto forca u bënë pjesë e intervenimit të NATO-s, i cili pati për synim mbrojtjen dhe lirinë tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Gjithashtu, Osmani gjatë vizitës së saj në Portugali ka marrë pjesë në Samitin Global të Grave.

Osmani ka përmendur angazhimin e grave të Kosovës, përkatësisht grave të Krushës, të cilat përkundër vuajtjeve që kanë përjetuar, kanë arritur të triumfojnë.

“Dua të ndaj një moment me ju një histori vendase të qëndrueshmërisë dhe triumfit të grave nga fshati Krushë. Fahrije Hoti, bashkëshorti i së cilës është në mesin e 1600 të zhdukurve me dhunë, ende të zhdukur pas luftës, arriti ta kthejë këtë fshat të shkatërruar nga lufta në një histori të fuqizimit ekonomik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore