Lajme

Osmani nga New Yorku: Do të tregojmë veprimet destabilizuese të Serbisë dhe do ta përsërisim kërkesën për drejtësi


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muqolli dhe Shyhrete Tahiri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një paraqitje nga New York së bashku me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin ka deklaruar se në seancën e Këshillit të Sigurimit do të paraqesin rreziqet e vazhdueshme të sigurisë që ka Kosova nga Serbia.

Osmani përmes një video adresimi, ka potencuar se kërkesë e tyre po ashtu do të jetë vendosja e drejtësisë.

“Do të sigurohemi që të tregojmë edhe për rreziqet e vazhdueshme të sigurisë për të cilat ne përballemi për shkak të veprimeve destibalizuese të Serbisë”.

“Do ta përsërisë kërkesën tonë të vazhdueshme për drejtësi. Fatkeqësisht 25 vite pas luftës akoma s’ka drejtësi për 13 mijë viktima civile, s’ka drejtësi për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës, s’ka drejtësi për mijëra fëmijë që janë vrarë e s’ka drejtësi as për mijëra të zhdukur me dhunë që akoma janë në varreza masive në Serbi”, ka thënë Osmani.

Hotin, Krasniqin, Muqollin dhe Tahirin, e para e shtetit i quajti “simbol të forcës”.

“Me katër heroinat që janë simbol i forcës, simbol i guximit, simbol i mbijetesës por po ashtu simbol i sukseseve të Republikës sonë”.

“Do ta përfaqësojmë së bashku Kosovën tonë në mbledhjen e sigurimit, do të sigurohemi që të dëgjohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë, do të sigurohemi që të dëshmojmë se si Kosova vërtetë është histori suksesi për kundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificës”.

“Do të sigurohemi që e vërteta të dëgjohet dhe që e vërteta të mbrohet”, tha Osmani.

Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), këtë të hënë pritet të mbahet seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku do të shqyrtohet raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit mbështetës të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 18 prill, udhëtoi drejt selisë së OKB-së në Nju Jork, ku do të përfaqësojë Kosovën, ndërsa përballë do ta ketë presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili do të përfaqësojë Serbinë.

Seanca e Këshillit të Sigurimit mbi raportin e UNMIK-ut pritet të fillojë në orën 16:00 në bazë të kohës lokale në Prishtinë, respektivisht në ora 10:00.

Në raportin që i referohet periudhës nga 19 shtatori 2023 deri më 15 mars 2024 që do ta prezantojë shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, një pjesë e madhe i kushtohet ngjarjeve të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Guterres e cilësoi “incident të rëndë të sigurisë” sulmin e armatosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore