Lajme

Osmani në Tiranë për unifikimin e politikës së jashtme


Vjosa Osmani dhe Bajram Begaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se kryefjala e vizitës së saj në Tiranë ka të bëjë me përpjekjet për unifikimin e politikës së jashtme të të dy vendeve e në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

“Fuqizimi i koordinimit të vazhdueshëm në politikën e jashtme është në dobi dhe në interes jo vetëm të shteteve tona, por edhe të rajonit dhe më gjerë. Prandaj, kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka kërkuar sërish mbështetjen e shtetit shqiptar, por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), posaçërisht në raport me dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe krizën në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe.

“Përderisa politika shtetërore e Serbisë vazhdimisht po e sfidon integritetin territorial të Kosovës dhe angazhohet në agresion institucional kundër Kosovës në baza të rregullta, ne do të kemi nevojë për përkrahjen e Shqipërisë, po ashtu edhe të aleatëve dhe partenerëve euro-atlantik”, ka thënë presidentja Osmani.

“Koordinimi me miqtë dhe aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë kudo e kurdo”, ka shtuar ajo, derisa ka thënë se rruga e vetme që sjellë paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është njohja reciproke Kosovë-Serbi e ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial.

E para e shtetit ndër të tjera ka thënë se është detyrim i dy shteteve shqiptare të punojnë në drejtim të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në rajon, veçanërisht atyre në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, pa harruar edhe koordinimin me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.

“Është detyrim i secilit prej nesh që interesat kombëtare t’i vendosim përpara, të koordinohemi në baza ditore, të flasim me një zë të unifikuar. Në qoftë se ndonjëherë kemi ndonjë dallim në strategji, atëherë duhet të ulemi dhe t’i tejkalojmë ato sikurse një familje, sepse ne një familje jemi”.

Presidentja Osmani ka potencuar edhe njëherë rolin e Shqipërisë në mbrojtjen e interesave të Kosovës, sidomos në organizatat ndërkombëtare ku Kosova nuk është ende anëtare me të drejta të plota dhe të barabarta, derisa ka shtuar se Kosova është e përkushtuar të fuqizojë pozicionin e saj ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore