Lajme

Osmani në New York: Me mbështetjen e mërgatës, Kosova do të jetë më e fuqishme përbrenda


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të saj në New York me bashkatdhetarët.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në New York është takuar me bashkatdhetarë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Osmani ka theksuar se ndër vite ata i kanë dhënë hov e mbështetje të jashtëzakonshme luftës për liri.

“Në emër të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës i falënderova për kontributin e dhënë ndër dekada dhe pa të cilin nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka shtuar se Kosova aspiron integrimin euroatlantik, BE-në, NATO-n dhe OKB-në ndaj kontributit të mërgatës në Amerikë

“Kosova aspiron integrimin euroatlantik, BE-në, NATO-n dhe OKB-në, ndaj kontributi i mërgatës sonë në Amerikë dhe gjithandej siç ishte vendimtar dikur, është përcaktues edhe sot. Me mbështetjen e mërgatës sonë të çmuar, Kosova do të jetë më e fuqishme përbrenda, e më e konsoliduar në aspektin ndërkombëtar”.

Ndërsa nga zyra e Presidencës është thënë se Osmani do të ketë edhe takime të tjera.

“Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Presidentes.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), në New York, është takuar edhe me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në një takim të organizuar nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore