Lajme

Osmani në Kanada, takohet me kryeministrin Trudeau


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën e 23 nëntorit do të takohet me Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau dhe me Guvernatoren e Përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon.

Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të presidencës, ku thuhet se ky takim është një ri-konfirmim i marrëdhënieve të mira midis Kosovës dhe Kanadasë.

“Sipas Presidentes Osmani takimet me lidershipin e Kanadasë janë mundësi e mirë për ri-konfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyeshme me shtetin kanadez, sikurse edhe për të hapur shtigje të reja bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, thuhet se në të dy takimet, Osmani do t`i njoftojë bashkëbiseduesit për të arriturat e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë do t`i shqyrtojë mundësitë për rritje të bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, më 19 shtator, Osmani pati udhëtuar zyrtarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shoqëruar nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Po ashtu, ajo ishte për vizitë edhe në Gjermani, ku ka kërkuar nga homologu i saj gjerman Frank Walter Steinmeier, ta ndihmojë Kosovën për të marrë njohje të reja dhe po ashtu për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier

“Gjermania ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspiratat e saj integruese ndërkombëtare dhe evropiane: procesin e integrimit në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht lobimin dhe mbështetjen për liberalizimin e vizave”.

“Ne kemi nevojë për një zë të fortë mbi kërkesën tonë për liberalizimin e vizave, dhe nuk ka asnjë zë më të mirë se Gjermania”, pati deklaruar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore