Kosova

Osmani në dy takime të ndara me ambasadorët – diskutojnë për dialogun


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Osmani gjatë këtij takimi e ka falënderuar ambasadorin për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2021.

“Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe gjatë vitit vijues në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Ndërsa këmbeu, “vështrime me ambasadorin Abbot lidhur me ecurinë e dialogut dhe rolin pozitiv që mund të luaj Britania e Madhe në këtë drejtim”.

Po ashtu, Abbot i ka prezantuar presidentes Osmani nismën globale të Britanisë së Madhe kundër dhunës seksuale si mjet lufte.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen e Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e kësaj nisme duke u bërë pjesë e Deklaratës së përbashkët kundër dhunës seksuale në konflikt dhe konferencës së shteteve mbështetëse që parashihet të mbahet gjatë vitit 2022”.

Gjithashtu, të martën e shtatë dhjetorit presidentja ka pritur në takim edhe ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.

Gjatë këtij takimi palët kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, situatën me pandeminë si dhe zhvillimet në kuadër të procesit të dialogut.

“Takimi u realizua me qëllim të diskutimit të të arriturave dhe sfidave përgjatë vitit 2021, si dhe për të diskutuar mbi mundësitë për thellim të bashkëpunimit në vitin e ri”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani ka vlerësuar lartë prezencën aktive dhe angazhimin e vazhdueshëm të Austrisë në Kosovë dhe mbështetjen për integrim në Bashkimin Evropian.

“Ajo ritheksoj përkushtimin e Kosovës për intensifikim të vazhdueshëm të shkëmbimeve dhe vizitave bilaterale, si vazhdimësi e takimeve të realizuara në qershor të këtij viti me presidentin austriak Alexander Van der Bellen dhe me krerët e institucioneve tjera austriake”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore