Lajme

Osmani: Kur po rrezikohej ekzistenca jonë nga Millosheviçi, Maqedonia e Veriut i hapi dyert


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut pasi ka takuar krerët shtetëror gjatë qëndrimit të saj në Shkup.

Ajo gjatë adresimit të saj para deputetëve ka theksuar se dy shtetet Republika e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme fqinjësore jo vetëm në letër por edhe në vepër.

Sipas saj, në vitin 1999, “në ditët e errëta tona”, kur po rrezikohej ekzistenca jonë nga makineria gjenocidale e Milosheviçit, Maqedonia e Veriut, e sidomos shqiptarët në këtë shtet hapën dyert e zemrat e tyre, duke u bërë strehë për shumë të dëbuar me dhunë, ndërkaq shumë të tjerë i shpëtuan vdekjes duke u bërë refugjatë në vende të tjera të botës.

“Prandaj, faleminderit nga zemra në emër të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për të gjithë ata që na dolën në krah në vitet 1998-99. Ua kthefshim të gjithëve për të mirë”, tha Osmani.

Për Osmanin, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë një shembull pozitiv i fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor.

“Në këtë frymë, siç e kemi diskutuar sot jemi shumë të interesuar që t`i shtojmë lidhjet infrastrukturore me Maqedoninë e Veriut dhe shpresojmë që sa më parë të përfundojë edhe pjesa e autostradës nga Bllaca deri në Shkup”.

“Nëpërmjet mbështetjes reciproke në procesin e integrimit evropian, Kosova dhe Maqedonia e Veriut po demonstrojnë përkushtim për stabilitet dhe prosperitet rajonal. Ditë më parë, Kosova fitoi liberalizimin e vizave në një proces të zvarritur skajshmërisht e padrejtësisht, por më në fund ndodhi, pas shumë pune e përpjekjeve të gjata dhe sepse kishim një zë të fuqishëm të mbështetur edhe nga miqët tanë në Maqedoninë e Veriut. Por, kjo ka hapur edhe një kapitull të ri në rrugëtimin tonë euroatlantik”.

Osmani ka shtuar se synimi i radhës është statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE si dhe anëtarësimi ne aleancën më të fortë ushtarake që ka njohur njerëzimi, në NATO.

“Do të punojmë me ngulm në këtë drejtim dhe do të kemi mundësi të mësojmë nga përvoja e Maqedonisë së Veriut”.

“Vendi juaj bart nga ky vit edhe një domethënie tjetër të veçantë për ne, duke qenë se pikërisht në Ohër u dakordua Plani i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit me Serbinë. Ky moment shënoi një pikë kthese të rëndësishme në procesin e dialogut”.

“Siguroi që Kosova dhe Serbia të shihen si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore e në raport me njëra tjetrën të njihen parimet e rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare. Kosova është treguar konstruktive, e përgjegjshme dhe si e tillë do të jetë edhe gjatë zbatimit të marrëveshjes”.

Prandaj, Osmani ka potencuar se këto raporte le të sherbejnë si shembuj të miqësisë së mirë për mbarë rajonin e përtej.

“Sot ne po takohemi në Shkup, e unë uroj që në një të ardhme të afërt, me Maqedoninë e Veriut dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor të takohemi në Bruksel – në djepin e Bashkimit Evropian”, përfundoi Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore