Lajme

Osmani: Kundërshtojmë çdo kriter të ri për liberalizim të vizave


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se iu ka bërë të qartë të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë iniciative e cila do të stërzgjaste procesin për lëvizje të lirë.

Sipas Osmanit, Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, duke theksuar se vendimi për liberalizim është vonuar.

“Ne kërkojmë që të trajtohemi ashtu siç janë trajtuar shtetet e tjera, në historinë e Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur asnjëherë që të vendoset një udhërrëfyes i dytë, rrjedhimisht edhe kritere të reja, apo rivlerësim i kritereve që nga fillimi, prandaj është e domosdoshme që ne si Republikë e Kosovës të kundërshtojmë një qasje të tillë, ashtu siç e kemi bërë”.

Ajo ka rikujtuar edhe një herë se i ka bërë të qartë BE-së qëndrimet e Kosoës.

“Unë e kam bërë të qartë për të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që nëse mendohet një qasje e tillë natyrisht që nuk do të jetë e pranueshme për ne dhe nuk do të bëhemi pjese e iniciativave të tilla të cilat kanë për qëllim ta stërzgjatin edhe më shumë këtë proces i cili tashmë është vonuar për më shumë se katër vite”, ka thënë Osmani për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

BE-Ballkani Perëndimor.

Mirëpo, deklaroi se është e domosdoshme të punohet me shtetet anëtare që edhe ato të refuzojnë iniciativa për udhërrëfyes të ri.

“Është e domosdoshme të punojmë me shtetet anëtare veç e veç që edhe ato të refuzojnë një qasje të tillë dhe në të njëjtën kohë të mos lejojmë që Bashkimi Evropian të vendosë procedura për Kosovën të cilat asnjëherë më herët nuk janë vendosur për ndonjë shtet tjetër”.

Osmani, gjatë javës së kaluar kishte marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian-Ballkani Perëndimor ku kishte theksuar kërkesën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, si i vetmi vend që ende nuk gëzon lëvizjen e lirë pavarësisht plotësimit të kritereve.

Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhely, në debatin që është zhvilluar të hënën në Parlamentin evropian ka paralajmëruar udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa të martën nga Komisioni Evropian është thënë se nuk planifikojnë diçka të tillë dhe se vazhdojnë të mbrojnë qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet për lëvizje të lirë në vendet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore