Lajme

Osmani: Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, liberalizimi duhet të ndodh


Krerët shtetërorë në Bllacë të Hanit të Elezit.

Krerët shtetërorë në Bllacë të Hanit të Elezit, aty prej ku mijëra shqiptarë ikën nga Kosova thanë se rruga e Kosovës është drejt integrimit euro-atlantik, derisa kanë shprehur përkushtimin për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

“Sot Evropa rilind në një Kosovë të integruar në familjen e BE-së, ky synim i yni nuk duhet të mbetet peng ndaj liberalizimi i vizave duhet të ndodh sa më parë e Kosova të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike, aty ku e ka vendin”, ka thënë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Sipas saj, Kosova ka bërë hapa përmbajtjesor drejtë të ardhmes së saj euro-atlantike.

“Duke qenë një shtet i dominuar nga rinia, përpjekja jonë e vazhdueshme është që Kosovën ta shndërrojmë në vend ku ata e krijojnë dhe kanë perspektiven e tyre, këtë po e bëjmë çdo ditë, potenciali i rinisë kosovare është i jashtëzakonshëm, andaj atyre duhet t’u jepet dhe t’u krijohet mundësia”.

Ndërsa, potencoi se nuk do të rreshtin duke kërkuar drejtësi për gratë e dhunuara e të zhdukurit.

“Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për gratë e dhunuara, për të zhdukurit me dhunë, sikurse edhe për të gjitha viktimat civile”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Bllacë të Hanit të Elezit.

“Do t’i mbajmë gjallë rrëfimet për të gjitha ata që kontribuuan e sakrifikuan që ranë për liri dhe fati i të cilëve mbetet peng akoma për ta ruajtur kujtesën, por orientimin do ta kemi përpara sepse jemi popull që shikon dhe ecën nga e ardhmja gjithnjë duke e kuptuar që paqja nuk është e mundur pa drejtësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po punojnë fuqishëm në adresimin institucional të së kaluarës.

“Jemi duke punuar fort në adresimin institucional të së kaluarës, si dhe bërjen përgjegjëse të Serbisë për krimet e saj të kryera në Kosovë mbi ne. Prandaj në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë e duke kujtuar luftën ta ruajmë paqen, ta shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e këtij vendi”.

Një nga refugjatet e luftës së Kosovës, Sherife Luta, fotografia e të cilës në kohën e luftës ishte bërë imazh në shumë gazeta ndërkombëtare, tha se të flas për atë që ndodhi para 23 viteve është rrëfimi më i dhimbshëm i saj.

“Nga shtëpia e cila e gjetëm gjithë të djegur kur u kthyem në muajin gusht, të vitit 1999 kure dhe i dhamë fund qëndrimit si refugjatë në Maqedoninë e Veriut. 23 vjet pas kësaj ngjarje më duke se kemi lindur vajza ime Besa do ta kujtoj sa të jetë gjallë këtë pjesë të dhimbshme të historisë së saj. Jemi krenar dhe të lumtur që po jetojmë në shtetin tonë për të cilin u derdh shumë gjatë ranë shumë dëshmor e viktima civile për Kosovën nuk është e mjaftueshme asgjë unë jam e lumtur që familjen time kemi filluar jetën duke bërë një shtëpi të re”, u shpreh ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti në Bllacë të Hanit të Elezit.

Manifestimi Qendror për shënimin e 23-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, u shënua te Treni Muze “Nga Eksodi në Liri”, në Ballcë të Hanit të Elezit, prej ku mijëra shqiptarë ikën nga Kosova.

I gjithi ky manifestim u organizuar nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila tha se Bllaca 23 vjet më parë ishte strehë dhe shpresë për popullin e Kosovës, pasi vetëm disa hapa ishin larg nga ndenja e sigurisë në tokën e shtetit fqinj.

Në këtë manifestim i pranishëm ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovë, Glauk Konjufca dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore