Lajme

Osmani: Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me gratë nga komuniteti egjiptian.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka pritur në takim një grup të grave të komunitetit egjiptian.

Ajo në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka thënë se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane, të cilat angazhohen aktivisht në avancimin e të drejtave të komunitetit.

“Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, dhe duhet të bëjmë çmos që t’u garantojmë mundësi dhe trajtim të barabartë. Fuqizimi i gruas është prioritet për mua. Ofrimi i mundësive për punësim krijon jo vetëm pavarësi ekonomike, duke pasur parasysh faktin se roli i grave në shoqëri është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat”, ka theksuar Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në takim me gratë nga komuniteti egjiptian.

Në komunikatën e lëshuar nga presidenca, thuhet se ajo ka inkurajuar vajzat dhe gratë e komunitetit egjiptian që të vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e tyre.

“Si institucione të vendit, do të kujdesemi për qasje gjithëpërfshirëse dhe garantim të të drejtave tuaja. Përkrahja dhe fuqizimi i grave duhet të jetë angazhim i përbashkët në mënyrë që çdo qytetar të trajtohet me dinjitet dhe të jetë i barabartë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore