Lajme

Osmani: Gjuha shqipe duhet dashur dhe ruajtur, alfabeti na afroi me Evropën


Vjosa Osmani - Presidente e Republikës së Kosovës

Me rastin e 133-vjetorit, ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ky alfabet i cili dikur u njësua në Kongresin e Manastirit, pos mes vete, shqiptarët i ka afruar edhe me Evropën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se alfabeti dhe gjuha shqipe duhet ruajtur, dashur e kultivuar, ndërsa ka cituar një nga thëniet e njohura të shkrimit të njohur shqiptar, njëherësh pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, Mit’hat Frashëri.

Delegatët e Kongresit të Manastirit.

“Ky alfabet i ofroi shqiptarët jo vetëm ndër vete, por edhe me Evropën, synim i cili po jetësohet edhe sot e kësaj dite”.

“Me këtë alfabet u bë edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, ndaj gjuhën tonë duhet ta ruajmë, ta duam e ta kultivojmë, sepse siç thotë pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit, Mit`hat Frashëri: Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndryshe, presidentja kosovare së fundmi ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, teksa në fjalimin e saj ka folur se si Serbia në fushatën e saj për çnjohje të Kosovës ka përdorur çështjen e vaksinave.

Ajo ka thënë se ky shtet merrte vaksinën Sputnik V të Rusisë, dhe ua dërgonte shteteve afrikane në këmbim të çnjohjeve për Kosovën.

Presidentja e Kosovës gjatë fjalimit në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë.

“Rusia ia dërgonte Serbisë një numër vaksinash anti-COVID. Serbia është e interesuar ta luftojë pavarësinë e Kosovës. Shumë shtete në Afrikë nuk kanë vaksina, kështu që Serbia e përdorte vaksinën ruse, ta dërgojë një pjesë të tyre në shtetet afrikane, duke iu thënë: do t’iu japim vaksina nëse e çnjohni Kosovën”, ka deklaruar presidentja.

Ajo gjithashtu ka folur për sfidat e Kosovës në përballje me pandeminë por edhe në fushën e sigurisë, ndërsa ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneriteteve në mënyrë që ballafaqimi me Coronavirus dhe sfida të ngjashme të jetë i suksesshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore