Lajme

Osmani: Serbia çonte vaksina ruse në vendet afrikane në këmbim të çnjohjes për Kosovën


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, në fjalën e saj ka folur se si Serbia në fushatën e saj për çnjohje të Kosovës ka përdorur çështjen e vaksinave.

Ajo ka thënë se ky shtet merrte vaksinën Sputnik V të Rusisë, dhe ua dërgonte shteteve afrikane në këmbim të çnjohjeve për Kosovën.

“Rusia ia dërgonte Serbisë një numër vaksinash anti-COVID. Serbia është e interesuar ta luftojë pavarësinë e Kosovës. Shumë shtete në Afrikë nuk kanë vaksina, kështu që Serbia e përdorte vaksinën ruse, ta dërgojë një pjesë të tyre në shtetet afrikane, duke iu thënë: do t’iu japim vaksina nëse e çnjohni Kosovën”, ka deklaruar presidentja.

Presidentja Osmani, në fjalën e saj gjithashtu ka folur për sfidat e Kosovës në përballje me pandeminë por edhe në fushën e sigurisë.

Ajo ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneriteteve në mënyrë që ballafaqimi me pandeminë dhe sfida të ngjashme të jetë i suksesshëm.

Sa i përket pandemisë, Osmani ka thënë se Kosova ka pasur vështirësi pasi që ka trashëguar një sistem të brisht shëndetësor të viteve të ’90-ta por që ia ka arritur të shënoj progres në procesin e vaksinimit.

“Kosova tani është bërë lider jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë për sa i përket përqindjes së popullsisë së vaksinuar”, ka shpjeguar Presidentja Osmani duke treguar se vendi ynë ka refuzuar të marrë vaksina nga Rusia dhe Kina.

Ajo ka thënë se Rusia po mbështet regjimet autokrate dhe se me anë të financave po synonte destabilizoj edhe Ballkanin Perëndimor, thuhet në njoftim të zyrës për informim të presidencës.

 

Presidentja Osmani nga deputetët gjerman kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Presidentja gjithashtu gjatë vizitës që po zhvillon në Kanada, në hapësira të Forumit Ndërkombëtar për Siguri në Halifax është takuar me deputetët gjermanë: Jürgen Hardt, Peter Beyer, Stephan Mayer dhe Roderich Kiesewetter, ku ka thënë se Kosova ka nevojë për mbështetjen gjermane edhe në rrugën evropiane, sikurse edhe atë të aplikimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare ka thënë presidentja.

Marrëdhëniet me shtetin gjerman janë të shkëlqyeshme dhe se ky shtet paraqet partner strategjik për Kosovën ka deklaruar Osmani në takim me deputetët gjermanë.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me deputetët gjermanë: Jürgen Hardt, Peter Beyer, Stephan Mayer dhe Roderich Kiesewetter.

Osmani ka ritheksuar se Kosova prej kohësh ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian (BE) ta mbajë premtimin e vet kundrejt qytetarëve të Kosovës.

Në takim me deputetët gjermanë është diskutuar edhe për dialogun Koovë-Serbi.

Presidentja Osmani ka theksuar se vendi është konstruktiv në dialogun me Serbinë, porse ka përmendur diskursin nxitës nga pala serbe, sikurse edhe shtrirjen e ndikimit rus në Ballkan për ta destabilizuar rajonin.

Dialogu me Serbinë duhet të marrë fund me njohje të ndërsjellë ka deklaruar presidentja duke ri-potencuar se Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë organizimi rajonal në të cilin nuk trajtohet e barabartë me vendet e tjera, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të presidencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore