Lajme

Osmani diskuton me Hargreaves për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathen Hargreaves.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathen Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

“Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në prag të votimit nga Asambleja Parlamentare e kësaj organizate. Presidentja Osmani vuri theksin tek rëndësia e këtij anëtarësimit të Kosovës për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim”.

Përmes një komunikate dërguar mediave, thuhet se Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar ka ofruar në këtë drejtim.

“Ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetje në këtë momentum të rëndësishëm për shtetin tonë dhe qytetarët tanë”, thuhet në komunikatë.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore