Kosova

Osmani dhe Kurti premtojnë angazhim në parandalimin e dhunës në familje


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë premtuar angazhim konkret për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Ndërsa, për viktimat e dhunës në familje u tha se do të zhvillohet plani i banimit social trevjeçar për vitet 2022-2024.

“Realiteti është ky, siguria e grave nuk është e garantuar as brenda mureve të shtëpisë së tyre. Ky fakt është konfirmuar edhe këto dy vjetët e fundit kur bota po përballet me pandeminë dhe kur dhuna mbi bazën gjinore ka marrë hov. Tashmë dihet se në nivel global dhuna mbi bazën gjinore i ka arritur majat”, ka deklaruar Osmani.

Ajo gjatë takimit të së martës në tryezën e OSBE-së, u shpreh se dhuna në familje është një pandemi nën hije.

“Heshtja dhe mosveprimi kundrejt një fenomeni të tillë na bënë bashkëpunëtorë në këtë padrejtësi. Në këtë angazhim asnjëherë nuk mjaftojnë fjalët, duhet të veprojmë konkretisht”.

Ndërsa shtoi se, “kemi nevojë për ndjekje të protokolleve strikte të shpëtimit, rehabilitimit dhe fuqizimit ekonomik të të mbijetuarave të dhunës mbi baza gjinore”.

Foto me 6 dhjetor: Në Kosovë kujtohen gratë e vrara si pasojë e dhunës në familje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideroi miratimin e strategjisë kombëtare dhe planin e veprimit për dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore si hap thelbësor të parandalimit dhe adresimit të drejtë të dhunës në familje.

“Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe barabartë, jetojnë pa frikën dhe kërcënimin e dhunës në familje apo dhunës ndaj grave, ku qëllim është të parandalohet dhe mos tolerohet dhuna. Të mbrohet, riintegrohet dhe fuqizohet viktima si dhe të vendoset kryesi para përgjegjësisë”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka sqaruar edhe strategjinë kombëtare që është miratuar.

“Javën e kaluar miratuam strategjinë kombëtare dhe planin e veprimit, kjo përbënë një hap thelbësor përpara të parandalimit dhe adresimit të drejtë të fenomenit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore”.

“Kjo strategji është një nga nismat e vizionit të Qeverisë sonë që asnjë grua të mos jetojë me frikën e dhunës dhe çdo vajzë të rritet duke e ditur që është e sigurt”.

Po ashtu, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh se vetëm në vitin 2021 janë dy mijë e 500 raste të raportuara për dhunën në familje.

“Vetëm në vitin 2021 kemi 2500 raste që janë raportuar, nga të cilat shtatë përfunduan me fatalitet dhe mbi 600 viktima të dhunës në familje kërkuan strehim. Nga ky numër i lartë i raportimit 90 përqind janë gra e vajza”, deklaroi Haxhiu.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, theksoi se është i mahnitur me përkushtimin e institucioneve për të trajtuar këtë cështje.

“Jam mahnitur me përkushtimin dhe zotimin tuaj për ta trajtuar këtë çështje së bashku, por edhe për vizionin që e keni shprehur privatisht dhe publikisht”.

“Është e qartë se trajtimi i dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje vërtet kërkon legjislacion të ri dhe OSBE është duke e mbështetur këtë përpjekje të Qeverisë dhe Kuvendit në këtë drejtim”.

Edhe, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog, tha se fuqizimi ekonomik i grave në Kosovë është ende sfidues.

“Në Kosovë fuqizimi ekonomik i gruas është ende sfidues. Një numër i madh i grave nuk zotërojnë prona dhe nuk mund të përfitojnë nga trashëgimia. Gratë jetojnë në shtëpi të burrit dhe ato kanë përgjegjësi për punët shtëpiake dhe përkujdesen ndaj fëmijëve dhe të moshuarve”.

“Gratë, madje edhe ato të edukuara kanë më pak mundësi të punësimit”, tha ai.

Në tri vitet e fundit, numri i grave, burrave, fëmijëve e të moshuarve të cilët raportuan dhunën e ushtruar ndaj tyre është rritur për gati 100 për qind.

Kështu kanë bërë të ditur statistikat e nxjerra nga një hulumtim i realizuar nga Qendra për Këshillim Shërbime Sociale dhe Hulumtim-SIT me tetë qershor, mbi “Analizë e shërbimeve të ofruara në Kosovë për kryerësit e veprave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore