Lajme

Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialog, s’e kishte në disa momente


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë të përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian që të kenë qasje të balancuar në dialog, në të kundërten sipas saj ky proces nuk do të ketë sukses.

“Fatkeqësisht lista e marrëveshjeve të pazbatuara nga Serbia është shumë e gjatë, por që më duhet të them që shpresat tona janë që do të ketë një qasje të balancuara së paku nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian si parakusht për suksesin e procesin”.

Osmani, ka pohuar se Kosova ka insistuar që të bëhet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, por që dialogu për të pasur sukses duhet të ketë balancim nga ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

“Ka pasur momente kur nuk e kemi parë këtë balancim dhe do të doja t’u bëjë thirrje të gjithë aleatëve tanë që të sigurojnë një parim të barazisë së plotë dhe pozicionimit të njëjtë në këtë proces”.

“Ne në Republikën e Kosovës, kemi insistuar për zbatim të plotë të të gjitha marrëveshje, nuk ka ndonjë nen që është më i rëndësishme se tjetri. Serbia ka ndërmarrë përsipër obligime konkrete mes të cilave është edhe mungesa e veprimeve në kundërshtim të anëtarësimit të Kosovës, në organizata ndërkombëtare”, deklaroi ajo.

Sipas presidentes, ata që janë kundër Kosovës janë edhe kundër NATO-s.

“Ata që janë kundër Kosovës, janë edhe kundër NATO-s, sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it ka shfaqur që këto forca destruktive mund të sulmojnë edhe sistemin e bazuar në vlera mbi të cilat ndërtohemi ne dhe NATO-ja”.

Osmani: Nëse s’ka ndeshkueshmëri për sulmet e 29 majit në Veri, ato do të përsëriten

Sekretarit të NATO-s, Osmani i bëri thirrje që të bashkëpunojnë edhe për të sjellur para drejtësisë personat që kanë kryer sulmet me 29 maj në Veri të Kosovës.

Osmani, ka theksuar se në rast se personat përgjegjëse nuk vendosen para drejtësisë ata do të vazhdojnë t’i ripërsërisin veprimet e tyre.

“Nëse ka pa ndëshkueshmëri për sulmet e 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve dhe gazetarëve ka rrezik që kryesit e këtyre veprave ta kuptojnë si dobësi tonë të përbashkët dhe do të trimërohen për ta ripërsëritur ato, ky ishte sulm edhe ndaj NATO-s”.

“Ne i ofrojmë NATO-s, bashkëpunim të plotë për të sjellur kryesit e NATO-s para drejtësisë, duhet të ketë llogaridhënie të thella dhe të plota”, ka thënë Osmani.

Ajo ndër të tjera ka deklaruar se s’do të lejojnë që Veriu i Kosovës, të bëhet “fushë betejë”.

“Që të jem e qartë Veriu i Kosovës, ka qenë dhe do të vazhdoj të jetë pjesë e Republikës së Kosovës. Nuk do të lejojmë që Veriu i Kosovës, të bëhet fushëbetejë për arritjen e ambicieve hegjemoniste të autokrateve rajonalë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Ne jemi të përkushtuar për ta integruar komunitetin lokal duke i ruajtura të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë”.

Osmani, Stoltenbergut: Marrëveshja e vitit 2013 vlen për FSK-në, por jo dhe për Policinë

Pas deklaratës së Stoltenbergut, se Kosova për çdo lloj zbarkimi të Njësitit Special të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, duhet të kërkoj paraprakisht pajtimin dhe pëlqimin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Osmani iu kundërpërgjigj duke i thënë se në marrëveshjen e vitit 2013 përmendet vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe jo edhe Policia e Kosovës.

Osmani, tha se si presidente insiston që bashkëpunimi me aleatët e Kosovës duhet të vazhdojë për gjithë territorin e Kosovës.

“Marrëveshja e vitit 2013 fokusohet vetëm tek FSK-ja. Policia e Kosovës ka vepruar dhe ka ushtruar mandatin e vet kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës, më shumë se dy dekada”.

“Kosova sukses historik i NATO-s”

E para e shtetit ka thënë se Kosova, vazhdon të jetë sukses historik i NATO-s, prandaj edhe ka forca të cilat e sulmojnë atë.

Osmani ka përmendur edhe padrejtësitë të cilat po i bëhen Kosovës.

“Kosova është duke përjetuar ndërhyrje të paligjshme të huaja dhe obstruksion të autoritetit legjitim të vendit tonë në Veri dhe në shumë raste kjo ka sjellur edhe agresion siç është definuar nga të drejtat ndërkombëtare”.

Kërkesë e saj ndaj Stoltenbergut, ishte që të mos i lejojnë “forcat keqdashëse” ta sulmojnë Kosovën.

“Zotëri sekretar, saktësisht sepse Kosova është sukses historik i NATO-s, ka forca keqdashëse aq të vendosura që ta sfidojnë dhe ta rrënojnë atë nuk duhet ta lejojmë këtë që të ndodh duhet që së bashku ta luftojmë atë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kosova dhe rajoni rrezikohen të bëhen pika të ndezjes për shkak të keqdashjes dhe agjendës destabilizuese të duarve të zgjatura”.

Ndërsa, ka përmendur edhe rolin e NATO-s në Kosovë.

“NATO-ja ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në rolin e shpëtimeve të jetëve tona dhe e falënderojmë edhe për rolin që luan edhe sot duke i ndihmuar Kosovës, që të zhvillohet dhe duke i ofruar një mundësi për të jetuar në paqe”.

Në dritën e përpjekjeve të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për të zgjidhur ngërçin në veriun e trazuar të Kosovës të banuar me shumicë serbe, zyrtarë të NATO-s vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund t’i përshkallëzojë tutje tensionet.

Aleanca ushtarake e NATO-s ka dislokuar 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë për shkak të rrjedhës së tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore