Lajme

NATO duhet konsultuar para çfarëdolloj zbarkimi në Veri, thotë Stoltenberg  


Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një konferencë për media, pas takimit kokë më kokë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s në Bruksel, ka kujtuar se Kosova në vitin 2013 është zotuar se për çdo lloj zbarkimi të Forcës së Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës do të kërkohet paraprakisht pajtimi dhe pëlqimi i Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Kësisoj Stoltenberg ia ka kujtuar Osmanit këtë zotim ndërsa ka deklaruar se NATO “pret konsultime me kohë dhe kuptimplota për çfarëdolloj zbarkimi që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë”.

I pyetur se a e përfshinë zotimi i vitit 2013 e dhënë nga autoritete kosovare edhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës, Stoltenberg tha se në këtë rast çfarëdolloj zbarkimi në Veri përshinë edhe Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

“Nuk është kriter i ri. Është baza e misionit për një kohë të gjatë tashmë. Çdo zbarkim i Forcave Speciale kërkon pajtimin e KFOR-it dhe ka nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt mes autoriteteve në Prishtinë për çfarëdo lloj zbarkimi të forcave që mund të ndikojë në pozitën tonë e sigurinë në Kosovë”, pohoi ai.

Prandaj sipas tij “stabiliteti në rajon dhe siguria e trupave të KFOR-it varet nga të gjitha palët që respektojnë zotimet ekzistuese”.

Duke folur për fillimin e zbatimit të kërkesave të komunitetit ndërkombëtar nga Kosova për të de-eskaluar situatën në Veri të Kosovës, Stoltenberg tha se mirëpresin hapat e fundit të bëra nga Prishtina zyrtare.

“Është esenciale që të shmangen çfarëdolloj eskalimi të mëtejmë dhe inkurajojmë që të dyja palët të veprojnë në përputhje me zotimet e tyre”.

NATO-ja, sipas Stoltenberg, mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe gjithashtu mirëpret takimin radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut në mes të Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it në Bruksel.

“Mirëpresim takimin e javës së ardhme pasi konsiderojmë se është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura për të arritur zgjidhjen që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve, kjo kërkon durim, insistim dhe kompromis”.

Dialogu sipas Stoltenberg është edhe mundësi për Kosovën që të demonstrojë se është palë e përgjegjshme që vepron në mënyrë konstruktive në dobi të sigurisë euro-atlantike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore