Lajme

Orliç falënderon Qipron për qëndrimin ndaj Kosovës


Vladimir Orliç dhe Andreas Fotiu

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, është takuar këtë të premte me ambasadorin e ri të Qipros në Beograd, Andreas Fotiu, të cilin e ka falënderuar për qëndrimin që ky shtet ka në raport me Kosovën.

Nga ana tjetër, të paktën siç njofton zyra e kryetarit të kuvendit serb, diplomati qipriot thuhet t’i ketë theksuar Orliç-it se qëndrimi i vendit të tij “për çështjen e Kosovës nuk do të ndryshojë”.

Kreu i kuvendit serb, është përkujdesur që t’ia përcjellë propagandën e shtetit të tij ambasadorit Fotiu për situatën “jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë”, të shkaktuar kinse nga “lëvizjet e rrezikshme, të njëanshme” të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Siguria e popullit serb në Kosovë është e kërcënuar dhe shkelen të gjitha të drejtat e njeriut përmes terrorit të përditshëm të Kurtit, i cili përpiqet të pushtojë me dhunë edhe objektet e përdorura nga serbët”, pretendoi Orliç, transmetojnë mediat serbe.

Qipro, së bashku me Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë përbëjnë pesëshen e vendeve që janë pjesë e Bashkimit Evropian e që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Nga 5-shja mosnjohëse e BE-së, Greqia është më afër njohjes – deklaron Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore