Shqipëria

Organizatat mjedisore dalin kundër ndërtimit të aeroportit të Vlorës


Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përcaktuar datën 1 shkurt 2021, si afatin e fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë e interesuara, për ndertimin e aeroporit të Vlorës. 36 organizata mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë dalë kundër ndërtimit të aeroportit, duke i dërguar një letër publike Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosit dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukut.

Kërkesa vjen për shkakun se, territori ku do të ndërtohet aeroporti (Akërni) prek një pjesë të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë – Nartë.

Sipas letrës, zona është me rëndësi të madhe për biodiversitetin në Shqipëri, Mesdhe dhe më gjerë.  Zhurma dhe substancat kimike që do të lëshohen nga mjetet e transportit ajror, rrëzikojne shpendët e egra. Gjithashtu edhe rreziku i përplasjes së shpendëve me avionët gjatë fluturimit është i lartë.

Në këtë territor janë të regjistruara mbi 200 lloje shpendësh të egra. 33 lloje shpendësh janë pjesë e Listës së Kuqe të Shqipërisë, që rrezikojnë zhdukjen, nga të cilat tetë lloje kanë statusin e Rrezikut Kritik, nëntë lloje klasifikohen si të rrezikuara, 13 lloje janë cilësuar me status të Përkeqësuar dhe tre lloje me statusin Rrezik të Ulët.

Më tej letra vijon, duke theksuar se pothuajse të gjitha këto shpendë kërkojnë ruajte të veçantë, në raport me konventat ndërkombëtare, që Shqipëria i ka ratifikuar. Ku përfshihet Konventa e Bernës, Marrëveshja për Ruajtjen e Shpendëve të Ujit të Afrikës dhe Euroazisë (AEWA), Bashkësia Ndërkombëtare e Ruajtjes së Natyrës (IUCN) etj.

Një fakt tjetër është se 62 lloje shpendësh, janë pjesë e Direktivës Europiane të Shpendëve. E cila detyron vendet anëtare dhe ato vende që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian të shpallin Zona të Posaçme Mbrojtje (SPA), territoret ku gjenden këto lloje.

Aeroporti do të ndërtohet me koncesion nga kompania që do të shpallet fituese, me një investim rreth 87 milionë euro. Kompania që do të marri përsipër ndërtimin do të ketë të drejtat e operimit për 35 vjet. Ndërtimi i këtij aeroporti shihet si hap i rëndësishëm në zhvillimin turistik të vendit, është shprehur më herët Ministri Klosi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore