Lajme

Orban: “Evropa po luan një lojë të rrezikshme, po rrëshqasim drejt luftës”


Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë nuk mund të lexohen ndryshe përveçse si një “hap drejt luftës”.

“Pak nga pak ne po rrëshqasim drejt luftës”, alarmoi Orban duke shprehur shqetësimin e tij për masat e miratuara për t’i ofruar ndihmë Ukrainës.

Në një intervistë për transmetuesin hungarez, ai theksoi se shtetet anëtare të BE-së po bëhen palë ndërluftuese me vendimet për ta dënuar ofansivën e Rusisë në Ukrainë.

“Armët shkatërruese tani po shpërndahen, ushtarët ukrainas po trajnohen në territorin tonë (BE), sanksionet energjetike po vendosen… Evropa po bën një lojë shumë të rrezikshme”.

“Nuk po na qëllojnë ende, por jemi në prag të shndërrimit në një palë luftarake”, shtoi ai.

Lideri hungarez njihet për deklaratat e tij anti-sanksione, edhe pse ai votoi pro kur BE-ja i vendosi ato.

Gjithashtu, Orban kundërshtoi edhe propozimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Ukrainës 18 miliardë euro ndihmë në vitin 2023 në formën e kredive.

“Hungaria nuk do të pranojë që anëtarët e BE-së të bien dakord për kreditë për ta ndihmuar Ukrainën”, kishte potencuar ai.

Ndërkaq, ai preferon që të paguhet një shumë e vetme, e ndarë në mënyrë të drejtë midis 27 vendeve anëtare.

“Hungaria mund të japë deri në 170 milionë euro si pjesë e marrëveshjes dypalëshe me Kievin”.

Kujtojmë se Parlamentit Evropian me një “votë simbolike” kishte dënuar përpjekjet e qeverisë së udhëhequr nga Orban për të minuar themelet e demokracisë në Hungari.

PE dënoi “përpjekjet e qëllimshme dhe sistematike të qeverisë hungareze” për të minuar vlerat evropiane dhe kërkoi rezultate në procesin sipas nenit 7 të Traktatit të BE-së.

Mungesa e veprimit vendimtar nga BE-ja ka kontribuar në shfaqjen e një “regjimi hibrid të autokracisë zgjedhore”, domethënë të një sistemi kushtetues në të cilin mbahen zgjedhjet, por nuk respektohen normat dhe standardet demokratike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore