Kosova

Opozita thërret seancë të jashtëzakonshme për tekstet shkollore


Kuvendi i Kosovës.

Anëtarët e Komisionit për Arsim, kanë kërkuar seancë të jashtëzakonshme për dështimin e sigurimeve të teksteve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha.

“Ky vit i ri shkollor, po fillon i shoqëruar me njërin prej skandaleve më të mëdha të kësaj qeverie: Dështimin për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë”.

“Shkollat janë të papërgatitura, nxënësit nuk kanë tekste shkollore e materiale mësimore, ndërsa familjet e prindërit janë të braktisur. Mbi 200 mijë nxënësve nuk do t’iu ofrohen në shkolla tekstet falas, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç ka ndodhur për më shumë së një dekadë”, ka shkruar Hoxha në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo ka thënë se këto pasoja janë duke i vuajtur mbi 200 mijë nxënës, mijëra prindër e mësimdhënës.

“Gjendja është e jashtëzakonshme dhe kërkon veprime urgjente. Prandaj, ne, deputetët e opozitës – anëtarë të Komisionit për Arsim, të mbështetur nga deputetët e tjerë, kemi iniciuar thirrjen e Seancës së Jashtëzakonshme të Kuvendit e cila do të mbahet të hënën, më 04 shtator”.

Hoxha, ka potencuar se Kuvendi duhet “të ndërpres pushimin” dhe “t’i kthehet punës”.

“Në kushtet e paaftësisë dhe mosveprimit të qeverisë, Kuvendi duhet të ndërpres pushimin dhe ti kthehet punës, e të diskutoj mbi përgjegjësinë e qeverisë për këtë dështim të pashembullt në përmbushjen e mandatit kushtetues e ligjor të saj”.

Një seancë e jashtëzakonshme parlamentare për të hënën e paralajmëroi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në një bisedë për Albanian Post, ku bëri me dije se tanimë opozita është duke i grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për t’i mbledhur deputetët që të diskutojnë çështjen e dështimit të qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me iniciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platformës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore