Lajme

Opozita me kritika për shëndetësinë: Pozita e ministrit, peng i grupeve të interesit brenda LVV-së e Listës Guxo


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, në seancën e Kuvendit të Kosovës gjatë shqyrtimit të Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e Shëndetësisë, ka thënë se pozita e ministrit të Shëndetësisë është peng i grupeve të interesit.

“Shëndetësia ka mbetur pa ministër dhe Albin Kurti nuk merr vendim për ta emëruar një ministër, sepse pozita e ministrit ka mbetur peng i grupeve të interesit brenda LVV-së dhe Listës Guxo”, ka thënë Haxhiu.

Ai konsideron se ushtruesja e detyrës në dikasterin e Shëndetësisë, nuk ka guxim të përballet me deputetët për gjendjen në shëndetësi.

“Për pasojë Ministria po udhëhiqet nga ushtruese detyre, e cila nuk e ka guximin të vije dhe të përballet me deputetët për gjendjen në shëndetësi”, ka theksuar Haxhiu.

Kritika për sektorin e shëndetësisë ka pasur edhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

“Pa strategji, pa ministër mbi 2 muaj, me ushtrues detyre, me menaxhimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar me emërimin e ushtruesve të detyrave pa përvojë menaxheriale”.

“Me rritje 4.4 për qind të buxhetit, për kundër inflacionit që është 20 për qind, në listë të pritjeve mbi 1 vjet, me mungesë të barnave, me rritje të çmimeve të barnave në treg, me ikje të profesionistëve shëndetësor, më 362 mjekë të papunë, me mungesë të anesteziologëve, me kërcënim të mbylljes së klinikave, a është mirë? Jo”, ka thënë Dreshaj.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

Nga Qeveria Kurti, deputeti i AKK-së ka kërkuar që të veprojnë.

“Dy vjet në pushtet sot akoma me ushtrues detyra, duhet të veprojmë nuk është koha që të flasim, pagat e premtuara akoma nuk janë as në proces, ju përkujtoj 69 për qind që kanë lëshuar institucionet publike arysjet e parë e kanë cituar pagat”.

Ndërsa, sipas deputetës së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, vetëm me ndarjen e buxhetit për shëndetësinë Qeveria Kurti ka treguar se a është prioritet ky sektor për ta.

“Si është gjendja në sektorin e shëndetësisë e dimë shumë mire. Nuk dua të flas, por ne do ta bëjmë pikërisht të kundërtën që kanë bërë të tjerët me vite. Mbështetja e kujdesit parësor e forcimi i QKUK-së”, ka theksuar Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo shtoi se “kryeministri Albin Kurti, është vënë në ballë të sektorit, pikërisht për të fuqizuar Ministrinë e Shëndetësisë”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku
Jo për herë të parë, detyrat në shëndetësi po lihen pezull për një kohë të gjatë.

Sërish, Ministria e Shëndetësisë, është duke funksionuar me ushtrues detyre, që nga largimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili dha dorëheqje pas 11 muajve nga kabineti qeveritar.

Largimi i ish ministrit Rifat Latifi erdhi pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Ai është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje.

Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, ishte thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

Shëndetësia në Kosovë, edhe një herë, para kolapsit total

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore