Lajme

Shëndetësia në Kosovë, edhe një herë, para kolapsit total


Foto: Venhar Mehmeti.

Jo për herë të parë, detyrat në shëndetësi po lihen pezull për një kohë të gjatë.

Sërish, Ministria e Shëndetësisë, është duke funksionuar me ushtrues detyre, që nga largimi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili dha dorëheqje pas 11 muajve nga kabineti qeveritar.

Të mësuar janë me rolin e ushtruesit të detyrës, profesionistë që punojnë në institucione shëndetësore.

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri, në një bisedë për Albanian Post, thotë se duhet të ndërmerren disa masa që praktika për ushtrues detyrash në pozita të caktuara të ndalohet.

“Që nga paslufta, gjithmonë ka pasur detyra me ushtrues të detyrës dhe jo më kohë të shkurtër. Ushtrimi i një detyre të caktuar ka shkuar deri në tre vjet. Është mirë që të merren disa masa që praktikat si ushtrues detyre të ndalohen”, thotë Imeri për Albanian Post.

Mirëpo, duke e parë pritjen për vendosjen e kësaj pozite, ka shpresa se do të vijë dikush për t’i zgjidhur problemet.

“Ajo që shpresoj është se vjen një person adekuat që e njeh shëndetësinë në thelb dhe vjen me objektiva të qarta për t’i zbutur pak këto probleme, sepse për t’i zgjidhur do të duhej vetëm ndonjë magjistar”.

Sipas saj, edhe personi që ushtron këtë detyrë heziton në marrjen e vendimeve të reja.

“Kam përshtypjen që edhe personi që është me ushtrues detyre nuk është shumë komod të marrë vendime dhe kjo e pengon të veproj sa më saktë dhe sa më shpejt, sepse vazhdimisht është në pritje për vazhdimin e detyrës”.

Shëndetësia buzë kolapsit total

Mosemërimin e ministrit të Shëndetësisë, njohësi i kësaj fushe Blerim Syla, e quan “super skandal”.

“Aktualisht, nuk kemi shpresa për asgjë, ngase nismat për ligje i ka Ministri. Pra, edhe nëse do të duhej të rregullohej diçka me ligj nevojitet së paku 16 muaj. Nga këndvështrimi im, kryeministri Albin Kurti, nuk është duke e përkrahur shëndetësinë publike”, deklaron Syla për AP.

Ai pohon se shëndetësia në Kosovë, do të ballafaqohet edhe me më shumë probleme, sesa që është ballafaquar në të kaluarën.

“Jemi para kolapsit, jemi për menaxhim në shëndetësi, por shëndetësia publike është duke shkuar në humnerë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Një mendim të ngjashëm si Syla, se shëndetësia është para kolapsit e ka edhe infermieri, Enlirat Duraku.

“Ne po e shohim një sistem shëndetësor para kolapsit total, ndërsa padyshim që duhen ndërruar menaxherët shëndetësor, sepse të njëjtit po tregojnë që primare e kanë servilizmin, kujdesin që para atyre që i kanë emëruar të dalin mirë dhe interesin e tyre personal, mirëpo fare nuk shqetësohen për interesin e punëtorëve dhe atë kolektiv, e që është shëndeti i qytetarëve”, thotë Duraku për Albanian Post.

Shëndetësia në Kosovë, në situatë të ngjashme edhe para një viti

Shëndetësia në Kosovë, ka qenë në një situatë të ngjashëm edhe para një viti.

Atëherë kur ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte liruar këtë pozitë për të kandiduar për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Rolin e ushtrueses në këtë detyrë, edhe në atë kohë e kishte bërë ushtruesja aktuale, Dafina Gexha-Bunjaku.

Ministria e Shëndetësisë.

Latifi për shëndetësinë në Kosovë: E rrënuar nga korrupsioni madhor

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi konsideron se Shëndetësia në Kosovë është e rrënuar nga korrupsioni.

Kështu ishte shprehur ai në një takim me eurodeputetët Viola Von Cramon, Lukas Mandl, Radovan Kanev, Karlo Ressler dhe Adreas Schiedler.

Sipas tij, ky sektor në Kosovë, vazhdon të injorohet.

“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada”.

Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe eurodeputetët Viola Von Cramon dhe Lukas Mandl.

“Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës”, ka deklaruar Latifi.

Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi dhe eurodeputetët Viola Von Cramon dhe Lukas Mandl.

Ai ka përmendur edhe çmimet për të cilat pacientët detyrohen t’i paguajnë për shërim jashtë vendit.

“Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike”.

Largimi i Latifit erdhi pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Latifi është ministri i dytë i larguar nga kjo pozitë gjatë kësaj qeverisje.

Para tij ishte Arben Vitia i cili kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Në letrën e publikuar të dorëheqjes nga Latifi, ishte thënë se për këtë vendim ai kishte menduar tash e disa muaj.

Shëndetësia e Ushtruesve të Detyrës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore