Lajme

Konjufca e fton Nagavcin ta marrë fjalën në seancë, opozita e lëshon sallën


Kuvendi i Kosovës.

Deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën kur është thirrur për të folur në seancën e sotme ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Deputetët e pozitës kanë munguar në seancën e thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për të diskutuar për librat shkollorë.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se pamja e Kuvendit të Kosovës të hënën tregon shumë se ku është kjo qeveri.

Në fjalimin e saj në seancën e Kuvendit, Bajrami ka thënë se kjo Qeveri vrau të vetmin element të barazisë në shkollat e Kosovës.

“Këtë vit MASHTI dështoi të bëjë pazar me shtëpitë botuese, dhe dolu në konferencën katër ditë para fillimit të vitit të shkollor dhe ju tha prindërve që po ua kalojmë mjetet juve e ju përballuni me këtë kosto”, tha Bajrami.

Sipas saj, qeveria e popullit nuk është 51% në Kuvend.

“Nuk po e dimë prej kujt po ikni, kujt po ja keni frikën. Nëse e keni me të drejtë atëherë pse sot deputetët e mazhorancës nuk janë sot këtu që të përballen me kritikat tona”.

Tutje ajo për situatën me libra potencoi se ministrja me shumë vonesë u tha prindërve që mos i blini librat pa i marrë listat nga mësimdhënësit.

“Sot ministrja del krekoset me numrin e aplikimeve dhe buxhetin që e ka nda. Deri në fund të vitit shkollor do të kemi fëmijë që kanë me mbet pa libra”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, informoi se kanë dështuar në sigurimin e librave dhe se për këtë arsye prindërit duhet që të blejnë librat vetë e më pas të subvencionohen nga ky dikaster duke aplikuar në platformën e-Kosova.

Por, një kërkesë e tillë për prindërit krijoi një sërë problemesh pasi 1 shtatorin fëmijët e tyre e nisën me mungesë të librave, kjo pasi që në numrin më të madh të librarive të Kosovës, menjëherë u krijuan probleme për sigurimin e mjaftueshëm të librave.

Në disa raste libraritë ndryshuan edhe çmimet për përfitime personale.

Sipas Ligjit për arsimin parauniversitar në Kosovë, shkollimi fillor është i detyrueshëm dhe ofrohet falas.

Po sipas këtij ligji, edhe tekstet shkollore nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpërndahen falas.

Një grevë e mësimdhënësve ka shtyrë nisjen e vitit të ri shkollor edhe në vitin 2019, ndërsa më 2020 dhe 2021, mësimi ka kaluar online në periudha të ndryshme kohore, për shkak të pandemisë COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore