Opinione / Editoriale

Shqipëria në pëlhurën politike të Edi Ramës


Stefano Marcelli

Edi Rama tashmë ka hyrë në historinë politike të Shqipërisë. Me mandatin e tretë, të cilin sapo e ka fituar në zgjedhjet e fundit, ai është kryeministri më jetëgjatë në historinë e post-komunizmit shqiptar.

Një kryeministër, jo vetëm jetëgjatë, por edhe tejet i fuqishëm. Aq sa mund të bëjë atë çka dëshiron tashmë.

Në intervistat e dhëna pas zgjedhjeve, Rama deklaroi se qëllimi i tij është t’u lërë trashëgimi brezave të rinj fillimin e rrugës për hyrjen në Bashkimin Evropian.

Sigurisht që ky do të ishte një moment historik për një vend, i cili mbeti pothuajse tërësisht i izoluar nga bota (madje edhe nga ajo komuniste) për më pak se një shekull.

Por, kjo nuk mjafton. Trashëgimia që Rama dëshiron t’u lërë pasardhësve është shumë më e dukshme dhe konkrete. Kreu i qeverisë së Tiranës dëshiron të formësojë fytyrën e Shqipërisë për të ardhmen dhe kjo nuk është thjesht sa për të thënë. Ëndrra e Edi Ramës është e krijuar prej betoni, rrugësh dhe veprash publike.

Unë që shkruaj, zbulova për këtë artist të ri pasi ai qe kthyer nga Parisi dhe menjëherë pasi u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, Kombet e Bashkuara e cilësuan atë si më të mirin.

I mahniti të gjithë me hapat e tij të para: filloi të shuante ngjyrat gri të ndërtesave të trishta të realizmit socialist në kryeqytet me ngjyra të ndezura. Filloi të ndriçonte netët e errëta të Tiranës me dritat ku ndërmarrja elektrike italiane e Enel-it dha kontributin e saj. Pastroi buzën e lumit të mbytur nga ndërtesat abuzive. Filloi të konceptonte një plan urbanistik të përpunuar me studentët e një universiteti italian, për t’i dhënë renditje zhvillimit metropolitan të kryeqytetit.

Por, më pas, Rama me sa duket “u gëlltit” nga vala e zhvillimit të ndërtimeve të parregullta, nga dehja e kapitalizmit të egër, shoqëruar nga një demokraci e brishtë, e ngjashme në të gjitha vendet ish-komuniste dhe që duket se gjen versionin e saj më ekstrem në Shqipëri.

Gjithsesi, jam i sigurt se diçka nga delli vizionar i artistit të ri ka mbetur nën armaturën e politikanit të fuqishëm dhe është ky dell që ka hartuar një projekt për një Shqipëri të re, të cilën ai tani dëshiron ta zbatojë në praktikë.

Ne nuk e dimë cilën Shqipëri ka Rama në mendje për bashkëqytetarët e tij. Por, sinqerisht, shpresoj të mos jetë ajo orgji betoni, ajo parodi e një stili identifikues i Evropës Veriore që ka gllabëruar Tiranën, duke fshirë të gjitha gjurmët e historisë mijëvjeçare mesdhetare të këtij vendi.

Si ish-admiruesi i tij, shpresoj që, tani që ai është bërë i fuqishëm, kryeministri të kujtojë se ishte një artist vizionar dhe gjithashtu provokues dhe të mund të japë një ide për të ardhmen e këtij vendi që i duhet ende të gjejë shpirtin. Le t’u hapë dyert e krijimtarisë artistëve të rinj të sotëm, le të mundësojë hapjen e dritareve për idetë.

Ai, gjithashtu, duhet të fshijë pluhurin nga fjala “socialist” që qëndron në inicialet e partisë së tij. Duhet të rishfletojë librat që shpjegojnë se çfarë do të thotë të angazhohesh për t’iu përgjigjur nevojave të njerëzve, duke filluar nga ata që ndodhen në rreshtat e fundit.

Jam i sigurt se Rama dëshiron ta gdhendë emrin e tij në gurin e historisë shqiptare. Shpresojmë që, edhe një herë, ai do ta bëjë atë duke na mahnitur siç bëri atëherë, kur unë e njoha.


Lajmet kryesore