Opinione / Ekonomi

Reddit dhe pushteti i të ardhmes mbi Wall Street


Merryn Somerset Webb

Nëse keni shpenzuar kohë në mediat sociale, duke ndjekur lajme mbi tregun financiar këtë javë, duhet të kenë rastisur një histori të mrekullueshme.

Njerëzve të zakonshëm u ka ardhur në majë të hundës me establishmentin e Wall Street-it. Ata janë të acaruar me mënyrën se si bankat dolën pa humbje në krizën e madhe të vitit 2008. Ata janë të zemëruar me shumën e madhe të parave që fiton gardhi i industrive të mëdha.

U ka ardhur në majë të hundës me pabarazinë, me kapitalizmin kronik dhe me një botë ku ka rregulla të tjera për të pasurit e të tjera për të varfrit. Njerëzit, po marrin masa.

Lëvizja po vjen nga blerja në masë e aksioneve ndaj të cilave, kompanitë e mëdha, janë vendosur kundër. Ka qenë e mefshtë si lëvizje, por e orientuar me efektshmëri në grupet e komunikimit në media sociale.

Një grup i rrjetit të informacionit Reddit, i quajtur r/Wallstreetbets, ka mbi 4.8 milionë përdorues aktivë. Ky, ka rritur stoqet e një kompanie të dështuar të video lojërave, e quajtur GameStop, me më shumë se 1.000%, vetëm gjatë vitit të fundit.

Është një lëvizje e zgjuar. Sapo të rritet edhe më tej çmimi i stoqeve, ata që kanë vënë para kundër kompanisë, do të detyrohen të blejnë aksionet e GameStop, për të minimizuar dëmin ndaj lëvizjes së gabuar që kanë bërë. Kështu, çmimi i aksioneve do të rritet edhe më shpejt!

Kjo është një dhimbje koke për “kompanitë gardh” të Wall Street-it (humbjet e tyre përllogariten diku tek 5 miliardë dollarë deri tani). Është dhimbje koke gjithashtu për platformën e blerjes së aksioneve, Robinhood, e cila ofron një shërbim shkëmbimi falas, që shumë kompani të mëdha e përdorin. Për njeriun e thjeshtë ndërkohë, kjo lëvizje, është një thes i mbushur me para.

Gjithçka është nonsens sigurisht

Si kundërpërgjigje ndaj Wall Street-it, është e pashpresë. Paratë që bankat dhe menaxherët e fondeve fitojnë, vijnë nga komisionet e lëvizjeve në bursa dhe tarifat e ndryshme, jo nga performanca e investimeve. Nëse do të mbështeteshin tek kjo e fundit, nuk do të kishte asnjë person të pasur në New York apo Londër.

Si mënyrë për të zhvendosur pasuritë, është gjithashtu e pavlerë. Në një pikë, asetet e rivlerësuara mbi baza thelbësore të biznesit do të qëndrojnë, ndërsa investitorët e vegjël që mbeten në këtë lojë, do të humbasin shuma marramendëse parash.  Nuk e kam idenë se sa vlen kompania GameStop, por di që, nëse çmimi i stoqeve është në “hiperinflacion”, me siguri nuk është realisht 13.5 miliardë dollarë. Shtyrja e çmimit më lart, nuk e ndryshon vlerën e vërtetë.

E vërteta është se, pavarësisht letrave publike pasionante në Reddit, të cilat nxisin përdoruesit të marrin një shans që jepet vetëm një herë në jetë, për të ndëshkuar ata që shkaktuan kaq shumë dhimbje dhe stres dekada më parë, e gjithë kjo do të mbetet thjeshtë një histori. Të vetmit faktorë ndikues në këtë çështje, dhe në shumicën e aksioneve të tregut, është gjindshmëria e parave dhe kërkesa për më shumë.

Sipas një ankete britanike nga Find Out Now dhe Boscobel % Partners, 400 mijë profile të reja janë hapur në platformat e shkëmbimit të tregjeve vitin e shkuar.

Anketa zbuloi gjithashtu se përdoruesit e këtyre profile, kanë gjasë të ndikohen nga mediat sociale dy herë më shumë se sa nga investitorët e afirmuar. Kjo gjë quhet “meme investing”, ka një risk më të lartë humbjeje dhe ka më shumë gjasa të jenë të lidhura me investimet në teknologji. Fushat e tyre të interesit janë kryesisht video lojërat dhe kompanitë e basteve sportive.

Ata kanë gjithashtu shumë kohë në dispozicion. Rreth 10% e investitorëve të afirmuar në Britaninë e Madhe, janë me leje. Nga investitorët e rinj, janë 19%. Kjo është arsyeja përse 20% e volumit të tregtisë në Britani dhe SHBA vitin e shkuar, erdhën nga investitorët në sektorin e tregtisë. Në epokën e internetit, duhet të heqësh dorë nga puna për t’u bërë lojtar burse serioz. Por, tashmë, gjërat kanë ndryshuar. Ka një grup të madh njerëzish në botë, të cilët kanë para mënjanë, kohë me tepri dhe një mendësi të orientuar drejt basteve të rrezikshme.

Shto këtu edhe frikën më të madhe që shkaktojnë mediat sociale, Fomo (fear of missing out), në shqip, frika se ti mund të humbasësh një ngjarje dhe të mos jesh aty. Të mos harrojmë moton e sitit Reddit, YOLO (you only live once), ti jeton vetëm një herë. Faktori i Covid-19, ka dhënë stimulin e vet drejt këtyre lëvizjeve. Për shkak të këtyre tre faktorëve, saga e GameStop-it, është e paevitueshme. Çështja nuk është tek njeriu, por tek paratë.

Gjithsesi, një histori po tregohet këtu dhe disa mund ta përballojnë. Ka një grup të ri investitorësh në treg. Ata po mësojnë se, nëse janë bashkë, kanë pushtet.

Për momentin, kjo do të thotë se ata mund të bëjnë shumë qejf, po ashtu si ne që e vëzhgojmë situatën nga jashtë, duke na argëtuar në situatat e karantinimit për shkak të pandemisë. Por, në plane afatgjata, mund të kemi një situatë më interesante. Këta investitorë, mund t’i kujtojnë korporatave, platformave, ndoshta edhe menaxherëve të fondeve, se nga vijnë paratë që futen në xhepat e tyre.

Ata madje, mundet edhe të bashkohen për të mbajtur qëndrime mbi problematikat që kanë vërtetë rëndësi

Imagjinoni për shembull, që një grup i quajtur r/shareholderdemocracyaction në Reddit, pikasi faktin se drejtori ekzekutiv i kompanisë General Electric, Larry Culp, mund të përftonte një bonus prej 47 milionë dollarësh, nëse aksionet e kompanisë në bursë arrinin në 10 dollarë. Ata nxitën investitorët e vegjël që të mos e lejonin këtë gjë. Kjo do të dërgonte një mesazh të qartë mbi pritshmëritë e drejtësisë sociale dhe faktit se drejtorët e kompanive shumë të mëdha janë të mbi paguar kudo. Imagjinoni nëse 4.8 milionë investitorë të vegjël t’i drejtoheshin mbledhjes vjetore të General Electric dhe të ankoheshin për faktin se nëse çmimi i aksioneve të kompanisë shkon në 16.68 dollarë, Culp-i do të merrte 230 milionë dollarë bonus.

Ndoshta jemi duke shpresuar për shumë. Por, ideja është që, nëse investitorët e vegjël kanë fuqi, ata mund ta përdorin atë për t’i bërë kompanitë e mëdha të sillen në mënyrën në ata duan, dhe jo në mënyrën që ato po sillen aktualisht.

Industria financiare do të shpresojnë se energjia e re e investitorëve që kanë investuar gjatë pandemisë, të mos mbijetojë më gjatë se sa përfundimi i saj. Ndoshta për ne të tjerët dhe për kapitalistët, do të ishte më mirë nëse kjo lloj energjie do të mbijetonte dhe do të përdorej në mënyra më të mira.


Lajmet kryesore