Opinione / Ekonomi

Nga mrekullia ekonomike në mirazh, a do t’i kalojë SHBA-të PBB-ja e Kinës?


George Magnus

Nga narrativa e propaganduar nga Partia Komuniste Kineze (PKK) del se “teksa Perëndimi po bie, Lindja po rritet”.

Ndërkohë, jashtë Kinës e konsiderojnë rritjen e vendit si “të pashmangshme”.

Në rrugën për t’u bërë një “vend modern socialist” deri në vitin 2035, dhe i pasur, i fuqishëm e dominues deri në vitin 2049, Kina dëshiron të mburret teksa PBB-ja e saj tejkalon Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përpos kësaj, në njëqindvjetorin e Republikës Popullore, Kina dëshiron që të projektojë fuqinë e vet të bazuar në rritjen e peshës ekonomike.

Megjithatë, ka një të metë kritike në këtë narrativë.

Ekonomia e Kinës mund të dështojë të kapërcejë SHBA-të pasi i nënshtrohet kurthit proverbial të të ardhurave të mesme.

Këtu ngec progresi relativ i zhvillimit të vendeve në raport me kombet më të pasura dhe zakonisht karakterizohet nga rregullime të vështira ekonomike dhe shpesh nga pasoja të paparashikueshme politike.

Mrekullia e rritjes së Kinës, historikisht, ka qenë e jashtëzakonshme.

Në 30 vite deri në vitin 1990, vlera e tregut të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara në Kinë dhe SHBA, në terma të dollarëve amerikanë ka pësuar pak a shumë një rritje të përllogaritur në gjashtë për qind dhe tetë për qind në vit respektivisht.

Por në tre dekadat e ardhshme, rritja e PBB-së së Kinës u dyfishua në mbi 13 për qind, ndërsa ajo e Amerikës u përgjysmua në 4.5 për qind.

Megjithatë, rritja e Kinës tanimë ka përfunduar dhe pabarazia e madhe në rritjen e PBB-së është eliminuar.

Në tremujorët e fundit, PBB-ja e Kinës është rritur me gjysmën e normës së SHBA-së.

Paçka se kjo mospërputhje është ndoshta e paqëndrueshme, marzhi i PBB-së prej nëntë trilionë dollarësh i Amerikës mbi Kinën do të thotë se normat e krahasueshme të rritjes së PBB-së në të ardhmen do ta mbështesin dhe do ta zgjerojnë marzhin.

Kohët e fundit, një institut japonez ka shtyrë më tej datën kur pret që Kina të kapërcejë SHBA-të, nga viti 2029 në vitin 2033. Dhe shtyrje të tilla thonë diçka.

Çështja ka të bëjë më pak me matematikën dhe më shumë me atë se pse Kina është në një pikë kthese.

As nuk duhet harruar se kemi qenë këtu më parë.

Në vitet 1930, Gjermania do të dominonte Evropën, nëse jo botën.

Në vitet 1960 dhe 1980, Bashkimi Sovjetik dhe më vonë Japonia, e cila ishte forcë ekonomike në rritje, brenda 10 deri në 20 vjetësh do të kalonin Amerikën për t’u bërë fuqi dominuese ekonomike dhe teknologjike.

Historia nuk ka qenë e dhënë ndaj konsensusit.

Ekziston një tendencë që nga vitet 1920 për të nënvlerësuar kapacitetin vetëkorrigjues të institucioneve dhe ndërmarrjeve amerikane.

Ngjashëm, Bashkimi Sovjetik dhe Japonia ndoqën të dyja modele të ngjashme zhvillimi, të bazuara në shtrembërime që theksonin kursimet në mënyrë të paqëndrueshme dhe tepër të larta, investimet e larta dhe borxhin e lartë.

Modelet e tyre të zhvillimit u plasaritën me pasoja spektakolare që u atribuohen dështimeve kronike të institucioneve dhe qeverisjes.

Kina është versioni i shekullit të XXl-të të këtij fenomeni.

Norma e saj e investimeve është 10 pikë përqindje e PBB-së më e lartë se sa ishte në kulmin e BRSS-së dhe e lidhur fort me shpërndarjen e gabuar, jo-efikasitetin e kapitalit dhe problemet e përhapura të shërbimit të borxhit.

Politika e saj zero-COVID mund të mbajë barriera midis Kinës dhe ekonomisë botërore deri në vitin 2023 ose edhe më tej.

Mirëpo, ngadalësimi i zgjatur i trendit të rritjes, i përkeqësuar nga mbi-borxhi dhe pika e kthesës në pasuritë e paluajtshme, siç ilustrohet nga gjiganti i zhvillimit Evergrande, tanimë është duke u zhvilluar.

Në Kinë, sektori i pasurive të paluajtshme prej 60 trilionë dollarësh është katërfishi i PBB-së dhe përbën një të katërtën deri në një të tretën e rritjes vjetore.

Mbi të gjitha, struktura ekonomike e Kinës është e pabalancuar. Ka të ardhura për kokë që janë ekuivalente me Meksikën, por konsumi për kokë nuk është më i lartë se Peruja.

Shpenzimet konsumatore përbëjnë afro 37 për qind të PBB-së, pak më e lartë se në vitin 2010 dhe shumë më e ulët se në vitin 2000. Rritja e produktivitetit, e lidhur ngushtë me reformën liberalizuese, ka ngecur.

Modeli i zhvillimit të Kinës ka nevojë urgjente për një ndryshim për të shmangur kurthin e të ardhurave të mesme.

Sa më shumë të vonohet, aq më të mëdha janë kostot.

Udhëheqësit e Kinës e pranojnë se ndryshimi është i nevojshëm.

Madje, kohët e fundit Xi Jinping ka ringjallur sloganin e “prosperitetit të përbashkët” për të mobilizuar partinë komuniste dhe qytetarët rreth një strategjie për të reduktuar të ardhurat dhe pabarazinë rajonale dhe për të përmirësuar standardet e jetesës.

Megjithatë, këto synime politike kërkojnë pikërisht atë lloj reformash liberalizuese, progresive dhe rishpërndarëse në ekonomi që Xi Jinping është kundër.

Ai ka ndjekur një stil qeverisjeje gjithnjë e më ideologjik dhe totalitar, në të cilin pozicioni dominues i partisë dhe shtetit në ekonomi është forcuar më shumë.

Në mënyrë të çoroditur, ai ka krijuar një kontradiktë ku edhe ekspertiza e PKK-së në argumentimin dialektik mund të jetë pak ndihmë.

Stuhia e fundit e ligjeve dhe rregulloreve të reja që synojnë firmat private dhe sipërmarrësit është krijuar për të ulur kontrollin dhe për ta sjellë sektorin privat afër politikës.

Kjo vështirë se është në përputhje me rritjen e produktivitetit dhe inovacionin, nga i cili varet ambicia e lartë ekonomike e Kinës.

Parakalimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ketë nevojë për shumë më tepër se sa një narrativë.

Kërkon politika që Kina e Xi-ut i kundërshton dhe mund të mbetet thjesht një mirazh.

Pasojat për Kinën dhe pjesën tjetër të botës nuk janë menduar siç duhet.


Lajmet kryesore