Opinione / Editoriale

NATO, në 75 vjetorin e Aleancës Atlantike


“Mbajeni Bashkimin Sovjetik jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët në tokë”.

Me këto fjalë Lord Hastings Lionel Ismay, Sekretari i parë i Përgjithshëm i Aleancës, përmblodhi arsyet e lindjes së NATO-s, një organizatë ushtarake ndërqeveritare e themeluar, nën presionin amerikan, pas rënies së Gjermanisë së Hitlerit për t’i vënë një pengesë Bashkimit Sovjetik.

Traktati i Atlantikut të Veriut, i njohur edhe si Pakti i Atlantikut, sot mbush 75 vjet. Traktati që themeloi NATO-n, Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, u nënshkrua më 4 prill 1949 në Washington D.C.

Traktati përbëhet nga 14 nene, më i rëndësishmi prej të cilëve është i V-ti, i cili parashikon mbrojtjen e ndërsjellë të aleatëve, ndonëse me një formulim që rezulton si kompromis i nevojave kushtetuese të SHBA-ve dhe kërkesave të evropianëve.

Më 11 qershor 1948, Presidenti i Komisionit të Punëve të Jashtme, republikani Arthur Vandenberg, në kohën e administrimit të Presidentit Harry Truman, i cili ishte demokrat, prezantoi në Senat, duke marrë miratimin me 82 vota pro dhe 13 kundër, një rezolutë që këshillonte presidentin të kërkonte sigurinë e SHBA-ve dhe të asaj që ishte “bota e lirë”, duke mbështetur marrëveshjet e mbrojtjes reciproke, të cilat të mund të vepronin brenda Kartës së Kombeve të Bashkuara, por jashtë Këshillit të Sigurimit, pasi e drejta sovjetike e vetos do të kishte penguar çdo lloj marrëveshje të mbrojtjes kolektive.

Para Traktatit të Washingtonit kishte lindur Plani Marshall, i cili kishte ringjallur Evropën Perëndimore, ekonomitë e së cilës u shkatërruan nga shkatërrimi i Luftës së Dytë Botërore, si dhe Traktati i Brukselit, i nënshkruar më 17 mars 1948 nga Belgjika, Franca, Luksemburgu, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila kishte themeluar Bashkimin Evropian Perëndimor, një bërthamë e parë e vendeve evropiane të lidhura nga një angazhim i përbashkët i mbrojtjes.

Por këto të pesta nuk mjaftonin sigurisht, përballë Ushtrisë së Kuqe, e cila kishte çliruar pjesën më të madhe të Evropës nga nazi-fashizmi.

Në vitet 1947-48, lufta civile në Greqi dhe rreziku që Turqia nuk do të ishte në gjendje të mbronte ngushticat detare nga qëllimet sovjetike, bëri që presidenti Harry Truman të deklaronte se SHBA-të do të ofronin ndihmë ekonomike dhe ushtarake si për Athinën ashtu edhe për Ankaranë.

Më pas u shtua rezultati pozitiv i dukshëm i Partisë Komuniste Italiane, pavarësisht humbjes në zgjedhjet e vitit 1948 në Itali, grushti i shtetit në Çekosllovaki, i cili i dha fund Republikës së Tretë për të vendosur një regjim komunist dhe pro-sovjetik.

Frika e madhe e SHBA-ve, pas mposhtjes së nazi-fashizmit, ishte se disa prej vendeve të Evropës Perëndimore do të kërkonin t’i zgjidhnin problemet e tyre të sigurisë duke rënë dakord me BRSS-në, e cila do të kishte përfaqësuar një pengesë strategjike për interesat amerikane dhe do të vinte në rrezik, në terma afatgjatë, vetë sigurinë e SHBA-ve.

Përgjigja ishte në fakt Pakti Atlantik, i cili e vendosi Evropën Perëndimore nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Negociatat zgjatën disa muaj. Vendet evropiane kërkonin një formulim që do të parashikonte ndërhyrjen automatike të SHBA-ve në rast të një sulmi kundër tyre.

SHBA-të, nga ana e tyre i rezistuan këtij automatizmi, duke qenë se, sipas Kushtetutës amerikane, fuqia për të shpallur luftë është ekskluzivisht e Kongresit.

Neni V ishte rezultat i një kompromisi midis këtyre nevojave të ndryshme.

“Palët bien dakord”, thotë neni V “që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, në Evropë ose Amerikën e Veriut, duhet të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve dhe në përputhje me rrethanat bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë i armatosur, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes individuale ose kolektive të njohur në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë palën ose palët e sulmuara menjëherë, individualisht ose në bashkëpunim me palët e tjera, me të gjitha veprimet që i gjykon të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Ai u aplikua vetëm një herë, me kërkesë të SHBA-ve, pas sulmit ndaj Kullave Binjake më 11 shtator 2001.

NATO, si fillim kishte 12 vende themeluese: SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Francën, Portugalinë, Islandën, Norvegjinë, Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun dhe Italinë.

Me kalimin e kohës ajo është zgjeruar.

Në vitin 1952 hynë Turqia dhe Greqia, në vitin 1955 Gjermania Perëndimore, e cila edhe sot ka në truallin e saj pjesën më të madhe të trupave amerikane të pranishme në Evropë, në vitin 1982 Spanja, e cila u kthye në demokraci pas diktaturës së Frankos.

Në vitin 1999, vendet e ish-Traktatit të Varshavës filluan të futen edhe ato, si Polonia, Republika Çeke, dhe Hungaria. Në vitin 2004 e pati radhën Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia.

Në vitin 2009 Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2017 Mali i Zi, në vitin 2020 Maqedonia e Veriut, në vitin 2023, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë, u bashkua Finlanda dhe e fundit Suedia duke braktisur neutralitetin historik.

Sot anëtarët e Aleancës janë 32 dhe fokusi i saj gjeografik është zhvendosur në mënyrë progresive nga zona e Atlantikut drejt lindjes.

Një histori suksesi ajo e NATO-s, edhe pse zgjerimi me ish-satelitët e Bashkimit Sovjetik, pas rënies së BRSS-së. Në fakt në fillim të viteve 2000, NATO themeloi një partneritet me Federatën Ruse, duke mos e konsideruar si kundërshtar, por një partner të mundshëm në menaxhimin e rendit kontinental dhe global.

Me kalimin e kohës gjithsesi ky zgjerim do të çonte në fakt në përplasje me Rusinë, e cila shihte zbehje të projektimit të potencës së saj. Ishte Putin ai që tha qartë në 2007-ën se Rusia dëshironte të rifitonte hapësirën e saj perandorake.

Aleanca ka pasur edhe momentet e përplasjes brenda vetes.

Nuk duhen harruar ndasitë në momente të caktuara të jetës së Aleancës si ai kur Charles De Gaulle, largoi Francën nga komanda e integruar pikërisht për arsye sovraniteti.

Si pasojë e këtij veprimi selia e NATO-s u zhvendos në Bruksel dhe komandat e ndryshme u shpërndanë nëpër Evropë, dhe deri më sot Parisi nuk merr pjesë në zinxhirin e parandalimit bërthamor aleat.

Një marrëdhënie e trazuar ajo e Francës me NATO-n.

Pati edhe përplasjen me SHBA-të në kohën e krizës së Suezit, në vitin 1956, përkrah Britanisë së Madhe, apo dallimet në Vietnam së bashku me shumë vende evropiane, apo përplasja dramatike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në prag të pushtimit të Irakut në vitin 2003, së bashku me Berlinin.

“NATO ka përjetuar shumë momente të vështira, por ne kemi mundur t’i kapërcejmë sepse ajo që na bashkon është më e fortë se ajo që na ndan”, përmbledh sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg, një mesazhet e tij gjate fjalës së fundit.

Pas 75 vjetësh nga lindja e NATO-s, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga Lufta e Ftohtë dhe kontinenti evropian nuk është më teatri i vetëm i ndërhyrjes.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Aleanca u duk sikur po shkonte drejt apatisë dhe çmontimit të sistemit të mbrojtjes së saj.

E gjithë Evropa ra në një letargji gjeopolitike. Mendohej se triumfi i demokracisë liberale do të shënonte fundin e pasigurisë, nëse jo edhe të historisë.

Por nuk zgjati shumë.

Brenda një kohe të shkurtër ndodhi Lufta e parë e Gjirit, konflikti më i madh konvencional që nga Lufta Koreane dhe fillimi i shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.

Kuadri strategjik global pësoi ndryshime të thella, të cilave NATO me ngadalësi filloi t’i përshtatej në mënyrë progresive, midis ruajtjes së misionit fillestar të mbrojtjes kolektive dhe marrjes së funksioneve të reja, që lidhen me shfaqjen e kërcënimeve ose rreziqeve për sigurinë e anëtarëve të saj të një lloji të ndryshëm nga ato tradicionale, si është terrorizmi, sulmet kibernetike, etj.

Tensionet e ripërtërira midis Perëndimit dhe Moskës, sidomos pas luftës në Gjeorgji në 2008, aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014 dhe pushtimit të Ukrainës në 2022, risollën në pah arsyet që e shtynë “botën e lirë” të nënshkruante Paktin e Atlantikut 70 vjet më parë. Që atëherë, Rusia është përmendur në dokumentet e NATO-s si “kërcënimi kryesor për sigurinë e Evropës”.

Është e pavend të flitet për një rikthim të Luftës së Ftohtë, por ndërhyrja ruse në Ukrainë, presioni i saj ndaj vendeve fqinje, ndërhyrja në punët e brendshme të disa vendeve, politika e paskrupullt në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme, si dhe programet e saj për modernizimin e armëve bërthamore dhe ato konvencionale, na bëjnë të themi se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë që NATO të rizbulojë dhe forcojë sërish vetveten si një organ i sigurisë kolektive.

Por një përgjigje ruso centrike nuk do të ishte e mjaftueshme dhe do të anashkalonte ndikimin e ambicieve të Kinës.

Zyrtarët amerikanë përmendin edhe kërcënimin kinez në kontekstin e diskutimeve për Aleancën Atlantike.

Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara parashikojnë role të drejtpërdrejta të NATO-s përballë Kinës. Megjithatë, vëmendja dhe burime të tyre masive janë të drejtuar drejt Paqësorit.

Kjo ka qenë deri diku edhe baza e paralajmërimeve brutale të Trump-it gjatë Presidencës së tij ndaj evropianëve për të rritur shpenzimet ushtarake dhe për t’u angazhuar më shumë në fushat e interesit të tyre të drejtpërdrejta.

NATO është ende e domosdoshme për sigurinë e anëtarëve të saj, si edhe një mbështetje për stabilitetin ndërkombëtar, pavarësisht  mundësisë së rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti izolacionist dhe unilateralist, si Donald Trump, i cili gjatë Presidencës së tij shkoi deri aty sa të vinte në  pikëpyetje klauzolën e mbrojtjes së solidaritetit të nenit 5 të Atlantikut.

Zemra rrahëse e NATO-s dhe lidershipi kanë qenë dhe mbeten gjithnjë SHBA-të që përfaqësojnë 70% të shpenzimeve të saj ushtarake.

Breza të tërë evropianësh i detyrohen shumë NATO-s.

Asgjë nuk garanton se e ardhmja do të jetë aq e ndritshme, por pa dyshim aleanca do të mbijetojë edhe përballë atij që analistët e quajnë skenari më i keq, pra shkëputja ushtarake dhe financiare amerikane (që në çdo rast nuk do të ndodhte brenda natës).

Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara filluan që në vitet 2000 me presidentin George W. Bush vëmendjen dhe përqendrimin te Kina.

Por sot aleanca pretendon se mund të mobilizojë gjysmë milioni ushtarë në 35-40 ditë, kur deri në vitin 2014 forca e reagimit të shpejtë numëronte vetëm 30 mijë ushtarë.

Lufta në Ukrainë është ajo që ndryshon gjithçka dhe aty ku ka më shumë gjasa kërcënimi rus, në Poloni dhe vendet baltike, lindin katër grupet e betejës shumëkombëshe.

Këta janë vetëm disa mijëra ushtarë, por janë thelbësorë nga pikëpamja politike dhe parandaluese.

Kështu që NATO-ja është ende e  gjallë dhe jetike, aq më tepër kur siguria kushton para dhe merr pjesë të mëdha të burimeve të brendshme.

Qenia brenda një aleance kursen dhe jep forcë.

Putini e di më mirë se kushdo këtë, pasi sot shpenzon pothuajse të gjithë buxhetin e tij për armë.


Lajmet kryesore