Opinione / Kolumnistët

Fuqia detare e Kinës, alarm për fqinjët


Guido Olimpio

Një shpërthim artikujsh në të përditshmet botërore dhe sitet e specializuara. Në qendër të vëmendjes, aktiviteti detar i Kinës, e përfshirë në një program zhvillimi me rreze të gjerë.

Rikuperimi i një droni në ujërat territoriale indoneziane, ka nxitur analiza interesante (dhe të interesuara) mbi bastisjet e Republikës Popullore të Kinës. Anija për kërkimet oqeanike, Xiang Yang Hong 03, do të bënte kërkime në perëndim të ishullit Sumatra. Një objekt i fotografuar nga satelitet, tashmë i disponueshëm për të gjithë nëpërmjet mediave sociale.

Sipas ekspertit Hi Sutton, është punuar gjatë mbi një aksion paralel të anijes së kaluar 06. Çfarë kërkojnë? Cilat janë objektivat? Mbledhin të dhëna mbi fundin e detit, inspektojnë zona dhe ndoshta janë në kërkim të sensorëve nëndetarë amerikanë. Pekini studion me imtësi rajonin, zgjeron horizontet e veta, vëzhgon rivalët dhe mban sytë tek korridoret ujore.

Një analizë ka sinjalizuar atë çfarë ndodh në Woody Island, pjesë e ishujve Paracel, të cilët janë të kontestuar në detin e Kinës Jugore. Kinezët e kanë zmadhuar duke gërmuar dhe duke hedhur rërë përsipër. Ata gjithashtu kanë zgjeruar infrastrukturën e tipit ushtarak. Është profili “tipik” i një zone të kontestuar. Patrullimi dhe vendosja e postblokëve, është një projektim që shkon përtej mbrojtjes së zonave tregtare. Kjo edhe pse, sipas një vëzhguesi, Kina, nuk ka akoma një numër të mjaftueshëm bazash dhe pellgjesh në vendet e huaja, për të siguruar vendosjen e një flote ushtarake atje. Strategjia kineze është e drejtuar ndaj porteve civile, në mënyrë që, në të ardhmen, të ngushtojë hapësirat. Jemi në një sektor ku po lëvizin të gjithë, nga deti i Kuq tek ai i Mesdheut.

Aspekti i tretë i zbuluar nga specialistët është ai i vendosjes së avionëve kundër-nëndetëseve dhe inteligjencës elektronike në bregun jugor. Disa foto të shkrepura nga sateliti, tregojnë mjete të tipit KJ 500 dhe Y 9, në pistat e Lingshui-t dhe Qionghai. Ndërkaq, ka pasur përmirësime në bazën e vendosur në Sanya.

Si përfundim, ka ngritur shqetësime ligji i ri që autorizon rojën bregdetare kineze të hapë zjarr kundër mjeteve lundruese të huaja, nëse sovraniteti kombëtar është i rrezikuar. Kjo masë e marrë, lidhet me fërkimet territoriale dhe detare që Kina ka me shtete të ndryshme (Vietnami apo Filipinet). Të drejtat e peshkimit, shkelja e kufijve apo çështjet ligjore, përkthehen në incidente serioze. Është goditës fakti që Pekini ngre zërin ndërkohë që anijet e peshkimit kineze janë të akuzuara për plaçkitjen e rezervave të shteteve të tjera.

Është një risk aero-naval që vë përballë SHBA-në me aleatët e saj dhe Pekinin. Në dhjetor, Pentagoni ka kundërshtuar linjat e paravendosura si një plan strategjik ku qëllimet janë të qarta: Mos heqja dorë nga asnjë milimetër. Është nënvizuar madje, që në rast kundërshtimi, SHBA-ja të jetë e gatshme të marrë përsipër riskun e përllogaritur. Një referim indirekt për disa episode, ku mjetet amerikane ishin sfiduar nga kundërshtarët me manovra të cilësuara si të rrezikshme. Jo më pak interesant, një dokument i 2018-ës i ri-lëshuar nga The Drive dhe është sinjalizuar nga Corriere della Sera, mbi prioritetet e Washington-it.

Mbrojtja e interesave të shtetasve amerikanë, kundërshtimi i përhapjes bërthamore dhe sistemit të armëve (si për shembull raketa me rreze të gjatë). Pikë që rikthen në mendje skenarin koreano-verior. Kim Jong Un, sapo ka shfaqur produktin e fundit të arsenalit të tij ushtarak, një vektor që mund të lëshohet nga një nëndetëse.

Ruajtja e aksesit ekonomik, ushtarak dhe diplomatik në një aspekt thelbësor për numrat, zhvillimin dhe popullsinë. Nga këtu, misionet e përsëritura të Marinës amerikane për të rikthyer lirinë e lundrimit, iniciativë kjo që Pekini shpesh e ka cilësuar si provokim.

Garantimi i përforcimit të raporteve të aleancës në rajon. Mbi të gjitha, me Indinë dhe Tajvanin (mjete kineze kanë zhvilluar javën e fundit fluturime të ulëta në ishull, taktikë kjo për të dërguar sinjale drejt Shtëpisë së Bardhë).

Alarmet mbi këto lëvizje, mesazhet, detajet e gjesteve – shpesh shumë të vogla – lufta e fjalëve, janë pjesë e narratives, por edhe përfaqësim i një lojë të vërtetë dhe të fortë.


Lajmet kryesore