Opinione / Kolumnistët

Berisha nuk është Meloni


Në Shqipëri është zhvilluar një debat për kthesën e bujshme zgjedhore që sapo ka trazuar sistemin politik italian.

Për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në qeveri vjen partia postfashiste trashëgimtare e të djathtës së fashizmit italian.

Menjëherë debati hapi një pyetje dhe diskutim edhe në Shqipëri.

Pyetja që shumë po bëjnë në këto momente është nëse ky afirmim i ekstremit të djathtë italian mund të përfaqësojë një model për të djathtën tonë, a është i vlefshëm ky model për Partinë Demokratike?

Për të dhënë një përgjigje, gjëja e parë që duhet bërë është të bëjmë një analizë serioze të fitores së Giorgia Meloni-t.

Nuk është e vërtetë që e djathta përfaqëson shumicën e italianëve.

Nëse krahasojmë votat e mbledhura nga qendra e djathtë me shumën e votave të marra nga partitë e ndryshme të qendrës së majtë, arrihet një bilanc i konsiderueshëm.

E djathta fitoi sepse qëndroi e bashkuar dhe u shpërblye nga një sistem zgjedhor që favorizon koalicionet.

Ndër kandidatët, me vota të barabarta, fitoi krahu i djathtë, i shpërblyer nga këto mekanizma.

Duhet konsideruar qe abstesionizmi në këto zgjedhje ka qenë i lartë. Një e treta e italianëve nuk morrën pjesë në votime.

Prandaj, partia e “Fratelli d’Italia” (Vëllezërit e Italisë) fituan duke monopolizuar votën në thelb brenda pellgut elektoral të krahut të djathtë, duke përgjysmuar kështu votat e “Lega-s” dhe gjithashtu duke gërryer ato të “Forza Italia”.

Zhvendosja elektorale nga qendra e majtë në qendrën e djathtë ka qenë e papërfillshme.

“Fratelli d’Italia” ka qenë gjithashtu e vetmja parti italiane që mbeti në opozitë me qeveritë e fundit që duhej të menaxhonin urgjencën e pandemisë dhe tani efektet e luftës në Ukrainë.

Prandaj, ka polarizuar votën e të gjithë atyre që kanë vuajtur pasojat e këtyre krizave, por edhe të atyre që po akumulojnë një ndjenjë në rritje anti-sistem (si psh No vaks, Jo taksa, euroskepticizëm, etj.).

Për sa i përket një paralelizmi të mundshëm me Partinë Demokratike Shqiptare, para së gjithash duhet theksuar se, ndërsa Meloni mbështetet në një sistem vlerash tipike të së djathtës evropiane, Partia Demokratike e Berishës (sepse Partia Demokratike po e tregon përditë që është një parti e Berishës) ka një bazë ideologjike praktikisht inekzistente.

Giorgia Meloni propozon vlerat e familjes tradicionale dhe hedh poshtë të gjithë kulturën LGBT, propozon bllokimin detar kundër ardhjes së emigrantëve, e konsideron Islamin një fe që kërcënon identitetin e krishterë të italianëve.

Për më tepër, Meloni ka një profil të lartë ndërkombëtar si presidente e grupit të Konservatorëve Evropianë që bashkon të gjithë të djathtën sovraniste të kontinentit (Le Pen në Francë, Vox në Spanjë, Afd në Gjermani, Orban në Hungari, Pis polak, etj).

Një grup politik që përplaset çdo ditë me politikat e Brukselit, veçanërisht përsa i përket emigracionit dhe respektimit të të drejtave civile.

Nëse do vrojtohet me kujdes votimi, tek “Fratelli d’Italia” shkon edhe pëlqimi i asaj pjese të botës katolike në mosmarrëveshje të hapur me vijën progresive të Papa Françeskut. Vlerat pra, cilado qofshin ato, vlejnë edhe në politikë.

Partia Demokratike duket se nuk ka asnjë nga kushtet që kanë favorizuar suksesin e Melonit, me përjashtim të opozitës kundrejt qeverisë Rama.

Madje, krahasuar me PS-në, Partia Demokratike duket se nuk u ofron votuesve ndonjë alternativë thelbësore as në frontin politik dhe as atë ideologjik.

Më pas dalim tek paprezantueshmëria thelbësore e liderit aktual të Partisë Demokratike, një Sali Berishë i refuzuar tashmë nga e gjithë bota politike dhe institucionale perëndimore që e ka akuzuar publikisht për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Vetë PPE-ja nuk e pranon më në gjirin e saj.

Giorgia Meloni, para zgjedhjeve shkoi në SHBA, ku nëpërmjet lidhjeve të saj me botën neo-con dhe republikane, mori dritën jeshile për një mundësi qeverisjeje në Itali.
Uashingtoni që nga ana tjetër kanë cilësuar Berishën dhe familjen e saj si “non grata”. Dhe në Mesdhe, të shkosh në qeveri me censura të tilla në fakt është e pamundur.


Lajmet kryesore