Shqipëria

Operacioni ndërkombëtar Shqipëri-Itali-Greqi, Çuçi: Të vendosur për të goditur çdo rrjet kriminal


“Jemi maksimalisht të angazhuar dhe të vendosur për të goditur me të gjithë forcën e ligjit çdo rrjet kriminal të trafikut të klandestinëve”.

Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në lidhje me finalizimin e operacionit ndërkombëtar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, në lidhjen me goditjen e 4 grupeve kriminale, që bënin të mundur kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministri, duke iu referuar Policisë së Shtetit, ka theksuar faktin se, “kjo është një dëshmi tjetër e modelit të shkëlqyer të punës së skuadrave të përbashkëta hetimore me vendet e BE-së”.

“Shqipëria mbron të drejtat e migrantëve dhe refugjatëve, por kurrsesi nuk do të bëhet urë kalimi për grupet që iu rrezikojnë jetën dhe shfrytëzojnë dramën e atyre njerëzve për qëllime fitimi”, tha Çuçi.

Në përfundim ai ka vlerësuar punën e Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Posaçme (SPAK), agjencive të tjera ligjzbatuese dhe partnerëve për finalizimin me sukses të këtij operacioni.

Operacioni ndërkombëtar Shqipëri-Itali-Greqi

SPAK-u, mëngjesin e kësaj dite bëri me dije se në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërkombëtar me autoritetet italiane dhe greke kanë ekzekutuar 47 masa të sigurimit personal.

Operacioni është zhvilluar në koordinim me EUROJUST, EUROPOL dhe disa shtete të tjera.

Këto katër grupe ishin të shpërndarë dy në Itali, një në Shqipëri dhe një në Turqi. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin pjesëtarët e këtyre grupeve kontrabandonin emigrantë të paligjshëm nga Lindja e Mesme, me destinacion Italinë e Jugut dhe më pas vende të tjera të BE-së.

Pjesëtaret e këtyre grupeve kriminale pasi siguronin persona të ndryshëm kryesisht në Irak, Siri, Egjipt e vende të tjera kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë deri në 10 mijë Euro, i kontrabandonin ato në rrugë tokësore dhe detare, duke ju mundësuar kalimin në mënyrë të paligjshme nga njëri shtet në tjetrin me destinacion përfundimtar vendet e BE-së.

Konkretisht SPAK, Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë dokumentuar shtatë episode të kontrabandimit të këtyre emigrantëve të paligjshëm, të kryera në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Sarandë.

Autoritetet ligjzbatuese kanë kryer urdhrin e SPAK duke arrestuar 25 persona, si pjesë e këtij grupi të strukturuar kriminal, nga të cilët 18 janë shtetas shqiptarë dhe shtatë shtetas të huaj (palestinez, irakian, iranianë, egjiptianë dhe turq).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore