Shqipëria

Operacioni i konfiskimit, Rama u përgjigjet akuzave


Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka sqaruar publikun mbi vendimin e Qeverisë për sekuestrimin e ndërtimeve pa leje.

Rama ka publikuar dokumentin që i është dorëzuar kohë më parë Prokurorisë për 4 mijë e 646 metrat katror ndërtim pa leje në qendër të Tiranës, të cilat dje i mori shteti për interes publik.

Kështu ai sqaron se kallëzimi në Prokurori nga Inspektorati është kryer kohë më parë, dhe kjo nuk është një shfaqje “teatrale”.

“Dhe ky nuk është i vetmi rast, po rasti që derdhi kupën e durimit me drejtësinë, në raport me parelinjtë e llojllojshëm, kapur me presh në duar tërë këto vite nga Policia e Shtetit, Tatimet e Doganat apo Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, por kthyer në burime të ardhurash për të korruptuarit e drejtësisë”.

Sipas tij, ata që akuzojnë vazhdimisht dhe shajnë papushim nuk janë mësuar kurrë me idenë se “dikush mund ta qeverisë këtë vend pa futur duart në xhepat e qytetarëve”.

“Turpi është vetëm i urrejtësve profesionistë të politikës dhe medias, që me tërbimin e tyre të pangushëllueshëm, rrisin përditë sasinë e llumit të kanaleve e të portaleve, ku s’ka më vend për të vërtetën, faktet, argumentet. Ata e helmojnë papushim këdo i ndjek gabimisht me respekt dhe këdo që gabimisht i lexon për të marrë vesh të vërtetën”.

Në konferencën për Bilacin Vjetor të Turizmit, Rama nënvizoi se aksioni që ka nisur është shumë serioz dhe askush nuk ka për të gëzuar 1 metër katror që ka përfituar jashtë lejes.

Më herët, Rama ka paralajmëruar se do të ketë një ashpërsim të vendimit për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Ai ka njoftuar se do të vendosen kontrolle të detyruara çdo 45 ditë.

Kjo në mënyrë që ndërtuesit të mos “hedhin” më kate pa leje.

“Do ta shtrëngojmë akoma më shumë ligjin, do vëmë kontrolle të detyra çdo 45 ditë në mënyrë që katet të mos hidhen dhe pastaj kur shikohet është vonë. Ky do të jetë mësim i mirë për të gjithë ata që do të dalin të implikuar në këtë histori”.

Sipas tij, më e rëndësishmja është se ky operacion do shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

Numri një i Qeverisë tha se Tirana ka problematikën më të vogël, ka zona të tjera që kanë problematikë më të madhe në raport me sipërfaqen që kanë.

“Kur filluam t’i vëmë fre ndërtimeve pa leje, nuk kishte asnjë pallat të vetëm pa shtesa. Ndërkohë që sot janë pak”.

Nga ana tjetër, ditë më parë, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku informoi se ndërtuesit mund t’i parablejnë “shtesat pa leje” me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re ose mund t’i dhurojnë.

Kjo që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet.

Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit.

Ajo shtoi se të gjitha ndërtesat që kanë këtë lloj specifike do të konfiskohen për përdorim publik.

Sipas saj, për çdo ndërtesë, e cila tashmë rezulton se ka shkelur lejen apo për çdo ndërtesë pa leje, do të ketë investigim për ato institucionet që kanë si detyrë kontrollin e territorit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore