Shqipëria

Olsi Rama hedh poshtë akuzat e Bardhit për lidhjet me drogën: Vijnë nga një i paburrë


Olsi Rama ka reaguar ndaj akuzave të deputetit Gazment Bardhi se ai është i përfshirë në trafik droge, me atë që quhet dosja e Xibrakut.

Vëllai i kryeministrit ka hedhur poshtë këto akuza duke i konsideruar “mizerabilitet njerëzor”.

Nga ana tjetër, ai e cilëson Bardhin si “kanakarin e sharlatanit famëkeq (Berishës) që ka sulmuar me qindra herë familjen Rama”.

Gjithashtu ai shton se nuk është përfshirë ndonjëherë në politikë pavarësisht se vëllai i tij Edi Rama qeveris vendin. Akuzat për drogë i konsideron të vërteta aq sa lidhje ka i paburri (Bardhi) me të vërtetën.

Kujtojmë se kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një dalje publike për mediat ka bërë një thirrje drejtuar kreut të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Kjo për të rihapur dosjen e Xibrakës.

Bardhi ka zbuluar emrin e një individi, që thotë se ka qenë mik i Olsi Ramës (vëllai i kryeministrit, Edi Rama) dhe policia nuk e ka përmendur, edhe pse kishte lidhje me laboratorin e kokainës në Xibrakë.

“Nuk u arrestua për dosjen e Xibrakës, Genci Xhixha, që u kthye nga rruga ditën kur u kryen arrestimet. Të gjithë të arrestuarit morën dënime minimale. Genci Xhixha nuk u gjend asnjëherë nga policia dhe është në kërkim. Ka një arsye. Kreu i organizatës të trafikut të kokainës ishte mik i Olsi Ramës, vëllai i Edi Ramës. Këto janë fakte që ndodhen në dosjen e Xibrakës”.

Më tej ai thotë se, në dosje provohet marrëdhënia e besimit mes Olsi Ramës dhe kreut të organizatës kriminale që merrej me trafik droge.

“Policia ka identifikuar çdo person, përpos një personi. Policia di pamjet e personit, di moshën, por nuk e ka identifikuar. Policia e identifikoi të dyshuarin si person që ka një makinë që i është identifikuar targa”, deklaroi Bardhi.

Operacioni “Xibraka” u kryenë vitin 2015 nga policia, ku u zbulua një laborator kokaine.

Asokohe ra në pranga nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha dhe disa persona të tjerë, të akuzuar si të përfshirë në prodhimin dhe përpunimin e kokainës.

Bardhi thirrje SPAK: Të rihapet dosja e Xibrakës dhe të hetohet roli i Olsi Ramës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore