Lajme

Olaf Scholz në Prishtinë: E kam shumë për zemër rifillimin e Procesit të Berlinit, do organizoj konferencë në vjeshtë


Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka përsëritur në konferencën e përbashkët me Albin Kurtin në Prishtinë, se e ka shumë të rëndësishëm rivitalizimin e Procesit të Berlinit dhe për këtë do të organizojë një konferencë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në vjeshtë, në Berlin.

“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në vizitën time në Ballkanin Perëndimor. Marrëdhëniet tona bilaterale janë shumë të ngushta. Kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm”, pohoi Scholz.

“Krahas marrëdhënieve, kemi biseduar edhe për liberalizimin e vizave dhe për pozicionimin e qartë të Kosovës në raport me sulmin rus në Ukrainë. Kurti dhe qeveria kanë marrë masa dhe sanksionet i kanë mbështetur që tregon se qëndron në anën tonë”.

“E kam shumë për zemër fillimin e Procesit të Berlinit, për të cilin folëm. Dëshiroj që, së bashku me partnerët, në kuadër të procesit, ta rijetësojmë procesin dhe në vjeshtë ftoj konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë”.

“Kjo rrugë e nisur drejt Bashkimit Evropian ka një shans realist. Për disa kjo rrugë shkon më shpejt, për disa më ngadalë. Udhëtimi këtu është edhe për t’i vazhduar bisedat që i kemi nisur në Procesin e Berlinit. Gjermania, me të gjitha mundësitë që ka, do të bëjë çmos që vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Ne e kemi bërë këtë prioritet edhe gjatë krijimit të qeverisjes tonë, mirëpo për këtë ne nuk mund të bëjmë asgjë, për këtë janë më të rëndësishëm pjesëmarrësit në vend”.

Kancelari ka folur edhe për rëndësinë e dialogut të Kosovës me Serbinë, duke theksuar se duhet të përfundojë me njohje të Kosovës.

“Vizitë historike, me Gjermaninë na bashkon gjithçka” – Kurti në konferencë me Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur historike, vizitën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ai ka pohuar se kancelarit i ka treguar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, ndryshe nga Beogradi, sa i përket dialogut Kosovë – Serbi.

Kurti tha se Procesi i Berlinit është tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe janë të përkushtuar për këtë proces.

“Është vizitë historike për shkak të momentit në të cilin jemi. Bota ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë. Pikërisht në këtë kohë, kancelari ka treguar vizion dhe qartësi në mbrojte të vlerave të përbashkëta të demokracisë. Gjermania dhe Kosova janë të bashkuara nga të njëjtat synime dhe ideale. Ne jemi të bashkuar edhe nga njerëzi tanë”, pohoi Kurti.

Lajmi ne perditesim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore