Lajme

OLAF: Bullgaria ka vjedhur fondet e BE-së


Shteti bullgar është përfshirë në një skandal të vjedhjes së fondeve nga Bashkimi Evropian (BE).

Bullgaria akuzohet se ka mashtruar BE-në duke vjedhur kështu 6 milionë euro.

Ministria e Brendshme bullgare kishte realizuar një marrëveshje me BE-në ku kjo e fundit do të financonte tenderin për blerjen e makinave të reja policore.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e ka akuzuar ministrinë e Brendshme për mashtrim dhe vjedhje të fondeve.

Hetuesit kanë kërkuar që të hapet një hetim penal ndaj zyrtarëve të përfshirë në skandal.

Sipas raporit, ministria e Brendshme ka shkelur kushtet e marrëveshjes duke përdorur fondet e BE-së për të blerë makina sportive dhe të përdorura në vend të makinave të reja policore.

Hetimi i OLAF-it ka filluar që në korrik të 2018-ës. Gjatë hetimit të tij, ai mblodhi dhe analizoi të gjithë dokumentacionin përkatës nga ministria dhe intervistoi të gjithë pjesëmarrësit kryesorë në përgatitjen dhe zbatimin e tenderit.

Drejtori i përgjithshëm i OLAF-it i ka bërë thirrje prokurorisë bullgare që të nisë hetimet sa më parë.

“Ky është modeli tipik i mashtrimit dhe ne e kemi hasur shumë shpesh. Mashtrues që përfitojnë nga fondet e qytetarëve”, u shpreh ai.

Sipas tij nisja e hetimeve do të dërgonte një mesazh mbi gjithë Evropën.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe se OLAF me partnerët e tij, do të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për të mbrojtur paratë e taksapaguesve evropianë”, theksoi drejtori i përgjithshëm.

Situata aktuale në Bullgari

Verën e kaluar në Bullgari shpërthyen protesta mbi pretendimin e korrupsionit qeveritar.

Protestuesit kërkuan që kryeministri, Bojko Borisov, dhe kryeprokurori Ivan Geshev, të jepnin dorëheqjen lidhur me akuzat që lejuan mafian të merrte kontrollin e vendit.

Qytetarët në protestë u shprehën të lodhur nga qeveria e Borisov-it, i cili është në pushtet që nga viti 2009.

Mashtrimet e kryera në kohë

Më herët OLAF kishte konstatuar së qeveritë evropiane po synojnë fondet e BE-së që janë të destinuara për projekte mjedisore.

Në raportin e saj të fundit OLAF tha se ka përfunduar 181 hetime në 2019-ën dhe ka hapur 223 hetime të reja për vjedhje fondesh.

Mashtrimet më të mëdha janë ato të importit të drurit të prerë ilegalisht dhe shpërdorimit të naftës në mënyrë të paligjshme.

Një nga këto raste kishte të bënte me një “organizatë të njohur joqeveritare” të përfshirë në ndihmën humanitare të BE-së në Siri. OLAF-i zbuloi se ajo kishte vjedhur fondet e marra nga unioni.

Tre kompani polake u zbuluan se kishin marrë nga fondi i ushqimit, bujqësisë dhe zhvillimit rural të BE-së duke falsifikuar dhe fryrë faturat.

Qeveria hungareze, ka qenë nën hetim për mashtrim në lidhje me procesin e prokurimit dhe tenderimit të disa kompanive të tekstileve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore