Lajme

OKB-ja kërkon t’i japë fund krizës sudaneze pas grushtit të shtetit


Organizata e Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se do të ftojë liderët ushtarakë sudanezë, partitë politike dhe grupe të tjera të marrin pjesë në një “proces politik” që synon t’i japë fund një krize të shkaktuar nga një grusht shteti i tetorit.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se në javët pas grushtit të shtetit, ndërmjetësimi i OKB-së arriti të rivendoste kryeministrin Abdalla Hamdok, por dorëheqja e tij javën e kaluar ka thelluar pasigurinë rreth të ardhmes politike të Sudanit.

Liderët ushtarakë, partitë politike dhe grupe të tjera pro-demokratike kanë kryer një fushatë të vazhdueshme protestash nën sloganin “pa negociata”.

Ndërkaq, goditjet nga forcat e sigurisë kanë lënë të paktën 60 të vdekur.

Për analistët, paqëndrueshmëria brenda dhe jashtë kufijve sudanezë do të vijojë nëse nuk do të caktohet një kurs i ri drejt tranzicionit dhe zgjedhjeve të besueshme.

“Të gjitha masat e marra deri më tani nuk kanë pasur sukses në rivendosjen e kursit të këtij transformimi”, ka thënë përmes një deklarate Përfaqësuesi Special i OKB-së, Volker Perthes.

Sipas tij, “dhuna e përsëritur kundër protestuesve kryesisht paqësorë ka shërbyer vetëm për të thelluar mosbesimin midis të gjitha partive politike në Sudan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore