Lajme

OKB-ja dënon sulmet ndaj objekteve civile në Arabinë Saudite dhe Jemen


Sekretari i Përgjithshëm i Organizatë së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres denoncoi të shtunën sulmet ndaj objekteve civile në Arabinë Saudite dhe Jemen.

“Sekretari i Përgjithshëm dënon fuqishëm përshkallëzimin e fundit të konfliktit në Jemen, duke përfshirë sulmet ajrore të së premtes ndaj objekteve civile dhe energjetike në Arabinë Saudite nga Houthis dhe sulmet pasuese ajrore të koalicionit në Sana’a, që thuhet se kanë vrarë tetë civilë, përfshirë pesë fëmijë dhe dy gra”, tha zëdhënësi Stephane Dujarric në një deklaratë.

Ai vuri në dukje se sulmet ajrore rezultuan në dëmtime në kompleksin rezidencial të stafit të OKB-së në Sanaa.

“Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për raportet e sulmeve ajrore të vazhdueshme në qytetin Hudaydah dhe shënjestrimin e porteve të vendit , të cilat ofrojnë një mjet jetësor humanitar kritik për popullatën jemenase. Sekretari i Përgjithshëm bën thirrje për një hetim të shpejtë dhe transparent mbi këto incidente për të siguruar përgjegjësi”, thuhet në të.

Duke vënë në dukje se konflikti hyn në vitin e tij të tetë, Guterres përsëriti thirrjet e tij për të gjitha palët që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërpresin armiqësitë dhe të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, duke përfshirë parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake.

Ai u bëri thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe pa parakushte, me të dërguarin e tij të posaçëm për të reduktuar dhunën dhe për të arritur urgjentisht një zgjidhje të negociuar për t’i dhënë fund konfliktit.

Rebelët Houthi në Jemen morën përgjegjësinë të premten për sulmet me dronë dhe raketa në objektet energjetike saudite.

Një sulm kishte në shënjestër një objekt magazinimi të naftës të kompanisë shtetërore të naftës Aramco, duke shkaktuar një zjarr në dy rezervuarë magazinimi.

Pas sulmeve, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një operacion ushtarak në Jemen, duke përfshirë Sananë të kontrolluar nga rebelët dhe qytetin port të Detit të Kuq, al-Hudaydah.

Koalicioni tha se operacioni synon të ndalojë sulmet ndaj objekteve të naftës saudite dhe “të mbrojë burimet globale të energjisë”.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar Houthis që nga viti 2015, një vit pasi rebelët e lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të Jemenit, duke përfshirë Sanaa.

Konflikti tetë-vjeçar ka krijuar një nga krizat më të rënda humanitare të shkaktuara nga njeriu në botë, me gati 80% të vendit, ose rreth 30 milionë njerëz, në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare dhe më shumë se 13 milionë janë në rrezik nga uria. sipas vlerësimeve të OKB-së.

Marrë nga Anadolu Agency, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore