Kosova

OEAK, Qeverisë: T’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në Veri


Përmes një komunikate për media Oda Ekonomike Amerikane ka shprehur shqetësimin e saj për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, duke njoftuar se nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil janë thelbësore për krijimin e një mjedisi të favorshëm afarist që mund të tërheqë investime dhe të mbështesë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë.

“Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

“Oda Amerikane dëshiron të përsërisë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë një mbështetëse e palëkundur e pavarësisë së Kosovës dhe kanë luajtur një rol kyç në krijimin e saj si shtet sovran. Përmes përpjekjeve diplomatike, SHBA-ja ka avokuar vazhdimisht për njohjen e Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, duke promovuar integrimin e saj në institucionet globale dhe duke nxitur zhvillimin e saj ekonomik dhe politik”.

Sipas OEAK, SHBA-ja ka qenë një partner jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian, duke avokuar për liberalizimin e vizave dhe duke mbështetur përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“SHBA është tregu numër një në botë për produktet e Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë, shumë kompani amerikane kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin ekonomik të vendit në sektorë si ndërtimi dhe patundshmëria, energjia, shëndetësia dhe teknologjia informative. Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vazhdon të ofrojë mbështetje direkte financiare për Kosovën përmes Agjencisë së saj për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”.

Në njoftimin e OEAK po ashtu potencohet se Bashkimi Evropian luan një rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës, duke ofruar ndihmë financiare, ekspertizë teknike dhe udhëzime për reforma në sektorë të ndryshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore